Kurti po braktis njerëzit e pakënaqur: Ky është debati i humbur i tij

Kurti po braktis njerëzit e pakënaqur: Ky është debati i humbur i tij

Kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër të vendit, Albin Kurti, ishte sonte i ftuar në emisionin Rubikon në KTV. Paraqitja e tij sonte ishte jo-aq-e-dobët nëse marrim parasysh rrethanat tona, dmth kandidatët e tjerë, por skandaloze dhe e turpshme nëse përnjëherazi harrojmë vendin tonë, dhe rrasemi në skenat politike të vendeve të zhvilluara.

Albini herë u mor me thashetheme, herë e luajti belaxhiun, herë viktimën, herë përdori fjalë popullore, e herë tingëllonte me standarden e tij si një shqiptar nga Tirana.

Ajo që la shije shumë të keqe ishte tëhuajsimi i plotë nga fati i mijëra njerëzve të varfër të vendit. Thirrja kryesore e tij, ani që e shtirë dhe e pastrukturë, ishte ajo për drejtësi. Jo ajo për zhvillim e për mundësi të reja pune.

Por, Kurti ishte tëhuajsuar edhe nga vetja e tij, dhe qëndrimet e partisë së tij. Nga një parti që në thelbin e angazhimit të saj kishte “vetëvendosjen” si parim, dhe që e mban edhe si emër, dhe më tej nga parullat e famshme “Jo negociata, Vetëvendosje” të vendosura kudo nëpër mure, ai e bëri partinë e tij një ngulmuese për negociata.

“Nuk duhet të kemi marrëveshje, pa negociata” – deklaroi ai duke kthyer përmbys kursin e deritashëm të kritikës së tij. Nga kritika e famshme ndaj pushtetit se “po negocionin” e-më-the-e-të-thashë, tash praktikisht po thotë “këta nuk kanë negociuar, por kanë arritur marrëveshje.” Nga një kritikues negociatash, ai u bë kritik jo-negociatash.

Por, përveç kësaj, ai nuk ngurroi të bënte as psikografi. Së pari, e përfoli LDK-në duke thënë që kishte “një frikë ndaj PDK-së, dhe e cila atij i dukej enigmatike”. Dhe së dyti, e përfoli Vjosa Osmanin, kandidaten e LDK-së, duke thënë që “kundërshtari i saj, Lutfi Haziri, kishte qenë shumë i gëzuar ditën e zgjedhjes së saj”. Nënkuptimi është i qartë: Vjosa Osmani (për të cilin, ai tha se ka respekt) do të jetë e nënshtruar ndaj z.Haziri.

I pyetur se me kënd do të bashkëpunonte pas zgjedhjeve, Kurti la të kuptohej se LDK-ja nuk ishte ed omosdoshme duke i hapur rrugë edhe partive të tjera. Qeverinë e koalicionit PAN e quajti “qeveri e tërpisë, babëzisë”, por shprehu bindjen se fitorja e Vetëvendosjes mund të çlironte edhe “vullnetet e ndrydhura” në këto parti, e të cilat ishin të ngjashme me ato vullnete brenda partisë së tij.

Ai kishte vështirësi të mëdha të tregonte edhe më kryesoren, se si do ta arrinte çlirimin dhe pavarësimin e Gjyqësorit – duke qenë pushtet i ndarë nga Ekzekutivi që synohet prej tij. Nuk tha asgjë!

Veç kësaj, për një të majtë në vendin tonë, shije të keqe lë edhe premtimi i tij se do t’i ndante 150 milionë euro për ushtrinë, nga vetëm 60 sa ndahen aktualisht.

E kush do ta pësojë nga ky ndryshim drastik në shpërndarje buxheti? Kështu e pyeti gazetari, por siç ndodh rëndom me të, me zanatin të mësuar ndoshta nga presidenti, ai nuk dha përgjigjje konkrete.

Kryetari i Vetëvendosjes vazhdimisht përmendi emrin e Elliot Ness dhe atë të Guliano Falcones, prokurorëve të famshëm. Ai tha se do të mundohej që të krijonte dy apo tre prokurorë të ngjashëm në vendin tonë, e të cilët do të shërbenin si shembuj për prokurorët e tjerë. Ndoshta, në vend se të shikohen shumë filma artistikë e dokumentarë për njerëzit inspirues, do të ishte mirë edhe të lexohej mbi praktikat në fushën e drejtësisë në vendet e tjera. Boll me filma!

Përfundimisht, të jesh i pakënaqur në vendin tonë, në këtë kohë në prag të zgjedhjeve, ta shpifë!

Shpërndaje në: