Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka reaguar ashpër ndaj një vendimi të Gjykatës Komerciale, duke e cilësuar atë si një akt të rëndë kundër interesit publik dhe në shërbim të pasurimit të një kompanie private. Sipas tij, gjykata ka vendosur në mënyrë të padrejtë që Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) të përmbushë një kontratë ndërtimi të lidhur me një konsorcium kompanish private, megjithëse afati ligjor për zbatimin e saj kishte skaduar dhe zbatimi nuk kishte filluar kurrë.
Tahiri kujton se kjo kontratë ishte nënshkruar gjatë mandatit të dytë të Lëvizjes Vetëvendosje në krye të Komunës së Prishtinës (2017–2021), dhe se PDK-ja e kishte kundërshtuar dhe sfiduar në rrugë ligjore. Ai thekson se gjykata jo vetëm që nuk refuzoi kërkesën për kompensim të dëmit material në vlerë prej mbi 36 milionë euro, por vendosi të detyrojë NPB-në të zbatojë një marrëveshje të cilën e konsideron të jashtëligjshme.
Duke e cilësuar këtë si një tjetër “akt grabitjeje institucionale” nga qeveria në ikje, Tahiri ka njoftuar se ka angazhuar një ekip juristësh profesionistë të udhëhequr nga avokati Faton Fetahu për ta sfiduar këtë vendim në instancat më të larta gjyqësore. Sipas tij, ky ekip do të punojë pro bono, me qëllim mbrojtjen e interesit të qytetarëve të Kosovës.
Postimi i plotë:
Gjykata Komerciale, e themeluar nga Albulena Haxhiu dhe Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka vendosur që të dëmtojë interesin publik duke pasuruar një kompani private në dëm të interesit të përgjithshëm dhe taksapaguesve të Republikës së Kosovës.
Gjykata Komerciale, pas shqyrtimit të padisë së një konsorciumi të kompanive private, të cilat kishin kontratë me Ndërmarrjen Publike Banesore për ndërtimin e përbashkët të mbi 60 mijë metrave katrorë, ka vendosur në mënyrë të kundërligjshme dhe të pashembullt që ta detyrojë Ndërmarrjen Publike Banesore të përmbushë një kontratë, afati ligjor i zbatimit të së cilës kishte skaduar.
Kjo kontratë e dëmshme ishte lidhur në mandatin e dytë qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë (2017-2021) e të cilën, PDK, jo vetëm se e ka kundështuar por edhe në rrugë ligjore e kemi kërkuar anulimin e saj.
Edhe pse kërkesëpadia e këtij konsorciumi privat kishte si kërkesë të parë përmbushjen e kontratës dhe si kërkesë të dytë kompensimin e dëmit material dhe fitimit të humbur në vlerë prej mbi 36 milionë euro, Gjykata Komerciale e Kosovës as nuk e refuzoi kërkesën për kompensim të dëmit, por e detyroi Ndërmarrjen Publike Banesore të përmbushte një kontratë, zbatimi i së cilës asnjëherë nuk kishte filluar. Si rrjedhojë, vendimi i gjykatës për të përcaktuar një detyrim për përmbushjen e saj ishte i pabazë dhe i kundërligjshëm.
Ky është një tjetër akt i grabitjes institucionale nga kjo qeveri në ikje – një pushtet i zhytur në dështim dhe korrupsion, që po përpiqet ta zbrazë arkën publike deri në ditën e fundit të mandatit.
Si ish-Ministër i Drejtësisë, kam marrë përsipër të organizoj një ekip prej juristëve më të mirë, me të cilët kam bashkëpunuar për më shumë se 10 vite, nën udhëheqjen e avokatit Faton Fetahu. Puna e këtij ekipi do të jetë krejtësisht pro bono – me qëllim mbrojtjen e interesit publik dhe ndalimin e kësaj plaçkitjeje ndaj qytetarëve të Kosovës.
Sot, ata kanë dorëzuar ankesën kundër këtij vendimi të paligjshëm në Dhomat e Shkallës së Dytë të kësaj gjykate, dhe betejën për drejtësi, për mbrojtjen e interesit publik dhe të qytetarëve të Prishtinës, do ta ndjekim në çdo hap dhe në çdo instancë gjyqësore.