Tahiri: Thaçi ndoqi procedurë të rregullt, PAN’i e ka për detyrë të tregojë a ka mandatar apo jo

Tahiri: Thaçi ndoqi procedurë të rregullt, PAN’i e ka për detyrë të tregojë a ka mandatar apo jo

Analisti politik, Ramush Tahiri në një intervistë për Periskopin ka sqaruar procedurat e mëtejme pas kërkesës së presidentit Hashim Thaçi që koalicioni PAN të propozojë mandatarin e ri për kryeministër të Kosovës. Tahiri thotë se presidenti ndoqi procedurë të rregullt.

Tahiri  tregon se çka ndodh nëse PAN nuk jep kandidatin e përbashkët dhe sqaron  rolin e partive opozitare në këtë proces.

Analisti Tahiri flet edhe për procedurat e shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme.

 

Intervista e plotë:

Periskopi: Presidenti Hashim Thaçi sot i kërkoi koalicionit PAN që të propozojë kandidatin konsensual për kryeministër të ri të vendit, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt. Cilat janë procedurat nga të dyja palët?

 

Ramush Tahiri: Kjo është procedurë e rregullt që e ka bërë presidenti Thaçi. Ka mujt me e bë më herët. Është dashtë me e bë edhe herët sepse këtë e parasheh edhe Ligji edhe Kushtetuta e Kosovës. Neni 95, pika 5 është i qartë. Tash vetëm ndiqen procedurat. PAN’i duhet t’ia dërgojë emrin e kryeministrit ose t’i thotë që nuk kam emër. Presidenti pastaj vendos a me caktu kandidatin e dytë, apo me kërku kandidatin e dytë dhe me i riformulu gjitha mundësitë ligjore. Përndryshe Kushtetuta thotë se afati ligjor është 15 ditë, prej ditës kur thirret me e prezantu kabinetin qeveritar në mbledhjen e Kuvendit. D.m.th ajo bëhet brenda 7 apo tetë dite. Kuvendi pastaj e aprovon dikund brenda pesë dite, që i bie dikund 20 ditë, varësisht qysh llogaritet, në qoftë se është afati maksimal. Mund të bëhet edhe 15 ditë, por më herët se 15 ditë zakonisht nuk bëhet.

 

Periskopi: Sa kanë afat partitë e koalicionit PAN për të propozuar emrin për kryeministër të ri?

 Ramush Tahiri: Ata e çojnë propozimin tash. Nuk kanë afat. Nuk është paraparë diçka e tillë. Më herët është paraparë krejt brenda 15 ditëve, por nuk parashihet. Presidenti në letër i ka sqaruar procedurat ligjore dhe tash ata me një letër sa më shpejt duhet me iu përgjigjë presidentit, pasi ky nuk i ka ftuar në konsultim, por ka kërkuar letër nga bartësi i listës ose nga kryesuesi i PAN’it, që formalisht është Kadri Veseli. Tash Kadri Veseli duhet me u taku me partnerët e PAN’it edhe me u marrë vesh me ta se a kanë kandidat të përbashkët, apo jo.

Periskopi: Po nëse PAN nuk del me kandidat të përbashkët?

Ramush Tahiri: Nëse nuk kanë kandidat të përbashkët, atëherë duhet me njoftu Hashim Thaçin si president që ne nuk kemi kandidat dhe presidenti pastaj mundet me llogarit se ata nuk kanë kandidat dhe kandidati nuk është zgjedhë. Pastaj është një procedurë që i pyet për së dyti, në një afat prej 10 ditësh. I pyet se a keni kandidat. Tek kjo pjesa e dytë, ka dilema në opinion. Se a duhet që një koalicion me e dhënë kandidatin e dytë apo duhet partia tjetër e cila i sigron 61 vota në Kuvend. Unë jam përkrahës që duhet jo të këtij koalicioni, por partitsë tjetër të dytë fituese. Mirëpo ka kundërshtime. Por, unë e mbroj këtë qëndrim sepse për mua, mundësia e dytë nuk i përket kandidatit por i përket koalicioneve. Nëse koalicioni e ka çu një kandidat dhe kandidati është rrëzu s’e nuk i ka marrë 61 vota nga Kuvendi, ose kandidati nuk ka shku fare, sepse këta nuk kanë kandidatë, atëherë presidenti duke e komentuar Nenin e caktuar të Kushtetutës, e thërret partinë e dytë fituese, ose Vetëvendosjen ose LDK’në edhe i pyet se a keni ju kandidat për me e bë koalicionin e ri. Nëse ata thonë që kanë kandidat, dhe i kanë të siguruar me shkrim 61 vota, atëherë presidenti e dekreton ose e nominon këtë kandidat dhe e dërgon me shkresë në Kuvend. Pastaj Kuvendi e mban mbledhjen, jo më herët se dy ditë dhe jo më vonë se pesë ditë, prej ditës që ka mbërri shkresa në Kuvend. Ka njerëz të tjerë në opinion që mendojnë se duhet dy herë të njëjtit subjekt fitues me e dhënë kandidatin. Praktika juridike e gjitha vendeve tjera, por edhe tek ne me kornizë kushtetuese është që t’i jepet partisë fituese, dhe kjo theksohet. Por në Kushtetuën tonë nuk theksohet a partisë së dytë apo të parë.

Presidenti u dërgon letër PAN’it që me caktu një kandidat për kryeministër dhe me vazhdu Qeveria pa zgjedhje. Kadri Veseli i thirr Fatmir Limajn dhe Ramush Haradinajn dhe merren vesh për kandidatin e përbashkët. Nëse kanë e çojnë emrin tek presideni dhe presidenti e çon emrin në Kuvend dhe brenda pesë ditësh mbahet mbledhja e Kuvendit dhe votohet. Nëse kandidati nuk votohet me 61 vota, atëherë përsëritet procedura me kandidatin e dytë, por afati është 10 ditë, nuk është 15 sikurse tash. Në situatën që ne gjendemi, PAN’i, kur Ramush Haradinaj kërkon me shku në zgjedhje, jo me kandidat të ri, kur t’i thërrasë Kadri Veseli në konsultim, ata mund të thonë që ne nuk kemi kandidat konsensual dhe mendimi im është që nëse nuk kanë kandidat të përbashkët, Kadri Veseli nuk e çon emrin dhe njofton presidentin se nuk kanë kandidat. Presidenti fillon për kandidatin e dytë. Unë mendoj që presidenti duhet me thirrë partinë e dytë fituese. Ose Vetëvendosjen (para përçarjes) ose LDK’në. Ju thotë se a keni ju kandidat. Nëse partia e dytë fituese thotë që e kemi, shkojn në takim tek presidenti dhe jep emrin e kandidatit për kryeministër. Por jem pak a shumë edhe listën e deputetëve që do të votohen për kryeministër. Që mos me e çu në Kuvend kryeministrin kot. Ose nuk  e jep dhe thotë që e kam bindjen që unë kam bë koalicion dhe e çon në Kuvend. Presidenti e çon në Kuvend dhe votohet edhe për kandidatin e dytë. Nëse kandidati i dytë nuk kalon, atëherë vendi shkon në zgjedhje, është jo 45 ditë, por 40 ditë. Atëherë Kuvendi shkon në zgjedhe të përgjithshme brenda 40 ditëve dhe presidenti i shpall zgjedhjet në afatet e caktuara prej ditës kur ka dështu me u zgjedh kandidati i dytë për kryeministër. Kuvendi pastaj shpërndahet 1 muaj ditë para procesit të zgjedhjeve, sepse nuk mund të punojë gjatë procesit të zgjedhjeve. Por 30 ditë para duhet të shpërndahet.

Periskopi: Sa kohë do të marrin gjitha këto procedura?

Ramush Tahiri: Gjithçka po shkon 1 muaj ditë në këto procedura. Derisa të konsultohet Kadri Veseli, derisa ta çojnë emrin tek presidenti, tani kandidati i ri, 15 ditë i ka derisa ta bëjë kabinetin qeveritar. Tani pesë ditë i ka Kuvendi derisa ta mbajë mbledhjen, votimi tani kur të votohet dhe të bie ky kandidat. Pastaj kandidati tjetër i caktuar, që i ka 10 ditë me bë kabintin. Qysh e shoh unë, 30 ditë apo 40 janë veç procedura, nëse respektohen të gjitha.

Periskopi: Sipas mendimit tuaj, a do të dalë emri i përbashkët nga PAN’i, apo do të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme?

Ramush Tahiri: Ramush Haradinaj ka thënë se nuk është i interesuar me e vazhdu këtë qeverisje, ose me pasë kandidat konsensual. Ndoshta ai e propozon dikë të partisë së vetë dhe këta pajtohen. Unë nuk e di. Nëse tre liderët merren për kandidat, nëse nuk merren vesh, ata e çojnë letrën dhe thonë se nuk kemi kandidat. Pastaj presidenti nuk duhet me pyet gjykatën, por me konsideru se s’ka kandidat dhe me bë përpjekje për kandidat të dytë. Por nëse partitë politike, LDK  e cila nesër e ka Kuvendin zgjedhor, konsideron se duhet me shku vendi në zgjedhje, atëherë ajo me Vetëvendosjen i mbledhin nënshkrimet edhe prej Kadri Veselit kërkojnë me u mbajt seanca e jashtëzakonshme edhe me u votu vetë shpërndarja e Kuvendit. Nëse ky vendim është pozitiv dhe i merr 80 vota, Kuvendi shpërndahet. Gjitha procedurat ndërprehen rreth kandidatëve dhe presidenti e cakton datën me dekret për zgjedhje 40 ditësh.

Intervistoi: Kaltërina Misini

Shpërndaje në: