Takimi Kurti – Vuçiq, Kallas tha se mund ta ndërmjetësojë së shpejti, BE: S’ka asgjë të re në këtë fazë
Bashkimi Europian tha se nuk ka “asgjë të re”, në lidhje me një takim të mundshëm ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Shefja e diplomacisë së BE-së tha së fundmi se është e gatshme ta ndërmjetësojë “së shpejti” një takim të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, pasi Kurti u pajtua të shtunën t’i bëjë disa lëshime për strukturat ilegale serbe.
“Mund të konfirmojmë se nuk ka asgjë të re që mund t’ju ndajmë në këtë fazë. Përfaqësuesja e lartë ka përmendur përsëri në postimin e saj në rrjetet sociale në këtë fundjavë se është e gatshme të organizojë një takim të nivelit të lartë së shpejti”, tha BE-ja në një përgjigje për RTV21.
Pasi Kurti u pajtua të shtunën të mundësojë lehtësira të përkohshme për komunitetin serb në Ligjin për të huajt, Kallas tha se “është krijuar një momentum i ri për t’i çuar përpara marrëdhëniet mes BE-së dhe Kosovës dhe dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit”.



