Takimi në Bruksel: Bislimi konfirmon se u diskutuan edhe tema të tjera, përveç Komisionit për të Zhdukurit me Dhunë

Takimi në Bruksel: Bislimi konfirmon se u diskutuan edhe tema të tjera, përveç Komisionit për të Zhdukurit me Dhunë

Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, mori pjesë sot në takimet e radhës të dialogut në Bruksel në nivel kryenegociatorësh. Tema kryesore e këtyre takimeve ishte funksionalizimi i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur me Dhunë.

Sipas deklaratës së zëvendëskryeministrit Bislimi, pjesa më e madhe e kohës u zhvillua në takime bilaterale, fillimisht me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe më pas me palën serbe. Takimet u konsideruan të suksesshme dhe rezultuan me dakordimin për funksionalizimin e Komisionit, që ka për qëllim zbatimin e Marrëveshjes për Personat e Zhdukur me Dhunë midis Kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq.

“Ka mbetur që në javët e ardhshme zëvendësat tanë të përcaktojnë prioritetet e para për punën e Komisionit të Përbashkët,” theksoi Bislimi.

Ai shtoi se, përveç temës kryesore për të pagjeturit, gjatë takimeve u diskutuan edhe pika të tjera, të cilat pritet të marrin zhvillim pas formimit të qeverisë së re. Megjithatë, pjesa më e madhe e kohës i është kushtuar zbatimit të marrëveshjes për personat e zhdukur me dhunë.

Njoftimi i plotë nga Zyra e Kryeministrit: 

Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në takimet e radhës të dialogut në Bruksel në nivel kryenegociatorësh. Tema kryesore e takimeve ishte funksionalizimi i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur me Dhunë.

Më poshtë, deklarimi i plotë për media i zëvendëskryeministrit Bislimi, pas përfundimit të takimeve:

Pyetje: Z. Bislimi takimet zgjatën prej orëve të pasdites, cili është rezultati i takimeve dhe a pati edhe takim të përbashkët?

Përgjigje: Pjesa më e madhe e kohës sot ka kaluar në takime bilaterale, domethënë fillimisht pala kosovare me Bashkimin Evropian dhe pastaj edhe pala serbe. Qëllimi ishte që të arrijmë dakordim që sot ta funksionalizojmë Komisionin e Përbashkët për jetësimin apo zbatimin e marrëveshjes për personat e pagjetur në mes të Kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq. Takimet ishin të suksesshme dhe në fund arritëm që përfundimisht ta jetësojmë këtë objektiv. Tani ka mbetur që në javët e ardhshme të takohen zëvendësat tanë dhe të përcaktojnë prioritetet e para për punën e Komisionit të Përbashkët.

Pyetje: A pati ndonjë temë tjetër në takime përpos temës për të pagjeturit?

Përgjigje: Kjo temë ka qenë tema kryesore. Natyrisht se në pika të shkurtra janë prekur edhe elemente të tjera ku priten lëvizje në të ardhmen pas formimit të qeverisë, mirëpo pjesa më e madhe e kohës i është kushtuar jetësimit të Komisionit për zbatimin e Marrëveshjes për Personat e Zhdukur me Dhunë.

Shpërndaje në: