Tasholli: Qytetaria duhet t’ia marrë Gjykatës Speciale të drejtën të flasë në emër të saj
Ismail Tasholli, themelues dhe kryesues i “LIRIA KA EMËR”, në emisionin Reel Talk me Maxhunin, që transmetohet në Periskopi dhe T7, ka thënë se në kohën kur janë marrë në Hagë krerët e UÇK-së, ata kanë qenë politikisht më të dobët dhe është krijuar një përshtypje se nuk e kanë mbështetjen e popullit, ndërsa përmes protestës synohet të jepet mesazhi i kundërt.
“Ata njerëz i kanë marrë në kohën kur ka nisur të ligështohen politikisht dhe në këtë rast masovizimi do t’ia jepte mesazhin e kundërt, sepse ne çojmë mesazhin e kundërt se ata nuk janë të ligështuar politikisht, janë pjesë e këtij vendi, dhe nëse ajo gjykatë pretendon të thirret në emër të qytetarëve, qytetaria në formë referendumi do ta japë përgjigjen dhe në një demokraci qytetarët duhet të merren seriozisht përmes masovitetit”, ka thënë Tasholli.
Tasholli ka thënë se mënyra se si janë ngritur aktakuzat dhe është administruar drejtësia në Gjykatën Speciale mund të konsiderohet sekserizëm politik.
“Nganjëherë po na marrin si budallenj nga mënyra se si po na trajtojnë. Një gjykatë që ideator e ka Jack Smith, të cilin shoqëria amerikane e fut brenda sekserizmit politik, që ka blerë dhe ka shitur dëshmitarë dhe sot është ai komplet i diskredituar, dhe kur e sheh bashkëpunimin e gjykatës me shtetin serb dhe kur i merr këta faktorë, qytetaria bëhet obligative dhe kur dalim ne ua marrim të drejtën atyre të flasin në emrin tonë, sepse shpesh e keqpërdorin”, ka thënë Tasholli./Periskopi



