Të akuzuarit për shpërthimin në Ibër-Lepenc deklarohen të pafajshëm
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë nisi të hënën gjykimi për shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në fshatin Varagë – pjesa veriore e Kosovës – ku të akuzuarit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq u deklaruan të pafajshëm.
Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj vëllezërve Viqentijeviq dhe Dimoviqit për veprat penale: “kërcënim i rendit kushtetues me anë të shkatërrimit ose dëmtimit të instalimeve dhe pajisjeve publike” dhe “kryerje e aktit terrorist”.
Dy të akuzuarit, Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq, gjenden në paraburgim që nga arrestimi, menjëherë pas shpërthimit më 29 nëntor të vitit 2024, ndërsa Dimoviq mbrohet nga liria.
Përndryshe, seanca paraprake u shty për herë të parë më 24 dhjetor të vitit të kaluar, pasi avokatët mbrojtës të të pandehurve kërkuan përjashtimin e prokurorit Bekim Kodraliu, duke pretenduar se ai ishte i anshëm.
Gjykata e refuzoi kërkesën dhe Kodraliu mbeti prokuror.
Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq dyshohen se më 29 nëntor, 2024, rreth orës 18:50, së bashku me disa persona të tjerë – ende të panjohur – vendosën rreth 20 kilogramë eksploziv për përdorim ushtarak (TNT) brenda kanalit Ibër Lepenc, “në një çantë të lidhur me litar në një shtyllë betoni”, duke e pozicionuar “për të shkaktuar dëme serioze në infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë dhe energji elektrike”.
Dëmi material u vlerësua në rreth 400.000 euro.
Sipas aktakuzës, gjatë bastisjeve në shtëpitë e tyre – një në Zubin Potok dhe një në fshatin Prevllak të së njëjtës komunë – Policia e Kosovës gjeti dhe sekuestroi një sasi të konsiderueshme të armëve të luftës.
Në aktakuzë thuhet gjithashtu se Jovan Viqentijeviq, si anëtar rekrut i Shërbimit Ushtarak të Informacionit të Serbisë, “veproi dhe ndihmoi këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente konfidenciale për t’i përdorur në aktivitetet e tij të paligjshme në territorin e Kosovës” dhe” “për t’i dorëzuar ato të dhëna në takimet në Serbi”.
Në shtëpinë e të akuzuarit të tretë, Igor Dimoviq, policia gjeti tre karikatorë, një fishek, një thikë dhe disa uniforma ushtarake, të cilat u sekuestruan.
Prokuroria paraqiti si provë edhe raportin e ekspertizës gjeologjike të Byrosë Federale të Hetimit (FBI) mbi mostrat e dheut në çizme, të marra në shtëpinë e vëllezërve Viqentijeviq.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më herët se të dhënat e inteligjencës tregojnë se tre të akuzuarit për shpërthimin në kanalin Ibër-Lepenc, kanë qenë të lidhur ngushtë me strukturat shtetërore serbe.
Beogradi zyrtar ka mohuar çdo lidhje me këtë shpërthim.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë më herët se ka disa informacione se kush mund të jetë autori, por nuk ka dhënë më shumë detaje.
Ai ka shprehur gatishmërinë e Beogradit për të bashkëpunuar në kryerjen e hetimit me të gjitha organizatat dhe institucionet ndërkombëtare.
Pas shpërthimit, kryeprokurori publik në Beograd, Nenad Stefanoviq, ka thënë se pret një “hetim gjithëpërfshirës për të përcaktuar të vërtetën dhe të gjitha faktet relevante”.
Megjithatë, ende nuk dihet nëse autoritetet gjyqësore serbe kanë filluar ndonjë hetim./rel/



