Të enjten në Kuvend diskutohet për ushtrinë

Të enjten në Kuvend diskutohet për ushtrinë

Gjithashtu në këtë seancë kryeministri Isa Mustafa do të paraqitet në dy interpelanca, njëra nga të cilat ka të bëjë me situatën e krijuar në Mitrovicë, kurse tjetra me përgjegjësinë mbi Ligjin e Sigurimeve Shëndetësore në Kosovë, shkruan sot gazeta Zeri.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka thënë se në rend dite është futur kërkesa e deputetit Daut Haradinaj për debat për Forcat e Sigurisë së Kosovës.

“Dhe po ashtu ne menduam që në këtë drejtim koalicioni dhe të gjithë deputetët ta thonë vetëm për perspektivën sepse ka mjaft debate në këtë drejtim dhe deri më tani nuk jemi deklaruar apo nuk e kemi thënë atë që duhet të shndërrohet në Forcë të Armatosur të Kosovës apo të bëjmë një ligj i cili zgjeron fushëveprimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës e që nuk duhen dy të tretat e Kuvendit, por aty do të dalin konkluzionet në debat”, ka deklaruar Lekaj.

Ndërsa kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, duke folur për krijimin e mundshëm të Forcave të Armatosura të Kosovës ka thënë se krijimi i ushtrisë së Kosovës është një realitet, i cili do të ndodhë shumë shpejt.

“Ushtria e Kosovës do të formohet shumë shpejt. Por është e rëndësishme që ky vendim të merret së bashku me bashkësinë ndërkombëtare”, është shprehur Veseli.

Kurse shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka thënë se të gjithë deputetët shqiptarë dhe ata të pakicave joserbe janë për bërjen e ushtrisë, megjithatë ai ka thënë se duhet të shikohen mundësitë sesi mund të bëhet kjo.

“Normalisht që nuk gjen deputet, besoj të shumicës, në Republikën e Kosovës i cili nuk dëshiron që sa më shpejt FSK-ja të shndërrohet në ushtri dhe këtu nuk duhet të ketë garë, njëfarë patriotizmi se kush është për t’u bërë apo se si të shtohen kapacitet-formatet e të gjitha të tjerat e FSK-së. Por duhet parë mundësinë se si kjo të bëhet. Nuk besoj se u mungon vullneti subjekteve politike që kjo të ndodhë, flas për ato shqiptare dhe pa përjashtuar edhe ato të komuniteteve joshumicë, me përjashtim që e dini se kemi pengesën e komunitetit serb”, ka potencuar Beqiri, duke thënë se pa ndihmën e NATO-s, të SHBA-së dhe të BE-së nuk mund ta kemi një ushtri çfarë dëshirojmë.

Shpërndaje në: