Të huaj për modernitetin, ose çfarë po dëshmojnë videot e INSAJDER-it?

Të huaj për modernitetin, ose çfarë po dëshmojnë videot e INSAJDER-it?

Kontrolli dhe pafuqia njerëzore përballë teknologjisë

Në intervistën e tij, “Zoti s’vdiç, u konvertua në para”, filozofi italian Giorgio Agamben ndër rreshta na risjell në kujtesë  panoptikonin e paralajmëruar nga Fuko (Foucault), pra atë jetesë të rrethuar nga kamera,  e që do i gjesh edhe në shtëpinë-muze të Orvellit (Orwell) poashtu nën vëzhgim kamerash. Jetesën e tillë, qytetin e tillë, Agamben e quan qyteti-burg. Është tragjik fati i njeriut bashkëkohor i rrethuar nga panoptikonët.

Kornizimi i jetës së njeriut nga teknologjia Hajdeger (Heidegger)), e bën të parëndësishëm faktin, në janë a s’janë përgjimet e fundit, përgjime të verzionit më të sofistifikuar; thjesht çështja s’është aty (Grabovci mund të zihej “gafil” edhe tjetërku e me tjetërçka), çështja është se sot rrezikohemi nga kontrolli më shumë se kurrë: edhe në dhoma hotelesh, edhe në konvikte studentore edhe në minimarkete që derxhen për fytyrat e njëjta myshterinjsh, në ndonjë skutë fshati a periferie, edhe në zhveshtore stadiumesh edhe në dhoma ndërrimi të butiqeve, edhe në WC… thjesht çdokund.

Ingranazhet e “rrotave” në të cilat “përpunohej” Çaplini (Chaplin)  në filmin “Modern Times”, janë ingranazhe të ditëve tona: deri këtu jemi të terrorizuar, e na terrorizohen familjet, po sikurse Grabovcit, respektivisht, nuk i bëhet me hile askujt. Privatja dhe publikja në kushte të tilla, duken jo vetëm larg botëkuptimit të shqiptarit për to si kategori, por edhe larg vetë botëkuptimit kantian/modern.

Shkurt fjala, privatja/publikja në botën e sotme po rinegociohen me shpejtësi marramendëse pavarësisht inercionit tonë në përpjekjen sfilitëse për t’u bërë modernë. Sot, si Grabovci, si ne, po u përgjuam nuk i shpëtojmë dot klikimit edhe nga bariu që ruan delet diku në ndonjë bjeshkë. Destinimi ynë, deshëm apo s’deshëm, është të jemi të gjithëpërfshirë nga përbindëshi që njeriu e krijoi me duart e tij – andaj s’kemi ç’të bëjmë. As kur dalim hipokritë e feministë të rremë duke u bërë ‘nënë’ ndaj përgjimeve të Ermira Mehmetit e ‘njerkë’ ndaj atyre të Grabovcit, as kur deklamojmë se do i mbyllim profilet tona personale “për t’mos u sëmurë më shumë”. Kushtet e veprimit brendapërbrenda moralitetit, këtu janë të parathëna e të paradhëna. Thjesht ose do jesh në marrëdhënie me botën virtuale, ose ngelesh “jashtë botës”. Marksi këtu del profet i vërtetë: mallin e kapitalizmit do ta konsumojnë të gjithë. Edhe kapitalistët edhe luftuesit e kapitalizmit.  Së këndejmi, edhe ISIS do të posedojë armë moderne, edhe Grabovci ‘smartphone’-in më modern.

Kaq për sa i përket fotografisë së hullisë në të cilën e ka degdisur njeriun bashkëkohor kontrolli, e kur ke të bësh me popuj si puna jonë, është më shumë se hulli, është llucë, moçal…

Koha dhe apatia

Pas vjedhjes industriale, në Zgjedhjet e 2010-ës, kosovari bindet me gjasë ta jetojë edhe një dekadë nën pushtetin e njejtë… E ka rrafsh. Sikurse të nesërmen e asaj dite,  sikurse pas pesë e më shumë vitesh kur del se ç’ngjau  pas asaj vjedhjeje. Më 2016 i dëgjon përgjimet e 2011-ës/2012-ës , sikur të kishin rrjedhur pak para dreke! Pse? Sepse për kosovarin s’ka ndryshuar kurrgjë as në 5 vitet e fundit. Prandaj, edhe realiteti i përjetuar prej tij, është në jo pak elemente mesjetar: nuk pritet ndonjë lëvzije a ndryshim;  individi/komuniteti jetojnë në pritje eskatologjike e apokaliptike, në historinë pa motor. E kusht i modernizimit është ndryshimi i të kuptuarit, perceptuarit dhe operuarit me kohën. Në të kundërt ndalesa pllakosë apatinë, siç edhe ka ngjarë. Qytetaria e munguar pamundëson përballjen sociale, ekonomike e politike me mobilitetin e natyrshëm të 17 vjeçarit, që në fakt edhe e solli Grabovcin sihariq.

Virtuja dhe dobia versus arsyes dhe detyrës

Ultramodernizmi teknologjik i sotëm, qoftë nën siglën INSAJDERI qoftë nën siglën, “Jeni nën vazhgim të kamerave”, po shpërfaqë si për ironi, dimensionet tona paramoderne, përkatësisht tërë grabovcianizmin tonë përballë shoqërive moderne, të udhëhequra nga arsyja, përgjegjësia dhe detyra qytetare. Si? Po thjesht, edhe në rast se ia falim krejt banalitetet e vulgaritetet që po rrjedhin nga ato përgjime (meqë edhe njeriu shanë e përqeshë), problemi real në tërë ato çfarë Grabovci shpërfaqë në ato telefonata është se ai aty del si një kreshnik virtuoz që ka lidhur kurorë me paranë publike dhe se tani shërben si bamirës dhe asnjëherë si qenie e arsyes dhe e detyrës. Asnjeherë si politikan i përgjegjshëm.

Grabovci mëton ta dëshmojë se është burrë i mirë, se është trim, se është sundues që ushtron ndikim të madh, dhe se megjthatë nuk i ka harruar dajët/nipat/vëllamëritë/shokët. Asnjë lëvzije gurësh nga ç’mësojmë/dëgjojmë për Selman Kadrinë, Bajram Currin, Isa Boletinin…elemente krejt paramoderne fisnorie e krahinorizmi. Kjo sepse njeriu paramodern udhëhiqet nga disa premisa të nderit dhe e virtusë, dhe jo nga ato të racios a e detyrës. Grabovci punëson. Punëson si zotnia rrogëtarin nga periudha osmane. Punëson  jo nga meritokracia (diploma, prfesionalizmi, përvoja e punës, specializmi) a detyra, por për nder,  për privilegj, jarani, pobratimllëk, burrni – shkurt fjala për interes/dobi të klanit, përkatësisht për mirëmbajtjen e këtyre relacioneve me çdo kusht deri në kohë të pacaktuar.

Kësodore në terma veberian (Weber) Grabovci është një autoirtet tradicional, e shumta, karizmatik. Në terma frojdian (Freud) është babë. Është besatuar me paranë dhe e ka kthyer në Zot (kujto Agamben tek kreu), por ama edhe ka mbetur “burrë”.

Në pastë diçka moderne në këtë muhabet janë vetëm kostumet kat të Grabovcit dhe të bashkëbiseduesve, kurse struktura e organizimit përkah forma e organizimit klanor  indicon në traditë shqiptare, ndërsa në operim/veprim, të paktën sipas bisedave të ndërsjella të pjesëmarrësve, është  italiane (“Pronto”), dhe zemuniane (“Poshtovanje”).

Grabovci dhe klani i tij, të kujtojnë edhe diçka nga Veberi: 1) apelimin e këtij të fundit në rrezikun që mbart kapitalizmi i etabluar  në trupet politike e shoqërore jo-protestante si ne, e ku në mungesë të asaj që Veberi përdallonte si “etikë protestante” (më vonë pieteizmi gjerman),  kapitalizmi rrezikon të davarisë nga një angazhman etik i gjithëmbarshëm shoqëror e për shoqërinë si qëllim, në levë në duart e një grupi familiar/klanor/pronvical në dëm të shoqërisë si dhe nën 2) racionalizimin, e kësaj praktike/kalitjen e vetë shoqërisë në një praktikë të tillë (humori me sharjet e talljet e Grabovcit përkatësisht rëndomizimi i tyre me një “dihej kjo”).

Gazetari investigative apo rrjedhje e lajmit?

Në vendet e vogla si ne, edhe kur investigimet ngjajnë vërtetë në angazhmane kërkimore të guximshme e të mundimshme, prapëseprapë janë kufinjtë tejet të brishtë mes politikës, biznesit, rrjedhjes së lajmit dhe akterëve (të dështuar) të drejtësisë/intelegjencës; përkatësisht lidhjet direkte a indirekte që kanë këto shtylla të jetës sociale mes vete (shto këtu edhe gravitimin “në të njejtjën qarshi” të shumicës së akterëve që gazetaria i ka në piketim), faktorët kryesorë që yshtin produktet si seria me përgjime e INSAJDERI-t, të dalin në shesh.

Natyrisht rreziqet e presionet në situime si këto s’janë aspak më të vogla, përkundrazi, por pa nënvlerësim, s’është as që është përgjuar State Departmenti.

Shpërndaje në: