“Të krishterët po vriten” – Donald Trump paralajmëron ndërhyrje ushtarake në Nigeri

“Të krishterët po vriten” – Donald Trump paralajmëron ndërhyrje ushtarake në Nigeri

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar një ndërhyrje ushtarake në Nigeri nëse qeveria e këtij vendi nuk ndalon vrasjet e të krishterëve nga terroristët islamikë.

Në platformën e tij TruthSocial, Trump deklaroi se SHBA-të mund të ndërpresin ndihmën dhe, në rast të mosveprimit, të dërgojnë forcat e armatosura për të shkatërruar grupet terroriste. Ai gjithashtu urdhëroi Departamentin e Mbrojtjes të përgatitet për një veprim të mundshëm, duke paralajmëruar se qeveria nigeriane duhet të veprojë shpejt.

Pak më herët, SHBA-të e kishin futur Nigerinë në listën e “vendeve me shqetësim të veçantë” për çështjet e lirisë fetare, duke theksuar se krishtërimi përballet me një kërcënim ekzistencial. Presidenti nigerian, Bola Tinubu, e ka kundërshtuar këtë gjë dhe pritet të takohet me Trump për të diskutuar situatën.

Vendimi amerikan erdhi pas muajsh lobimi nga ligjvënës konservatorë që e cilësojnë situatën e krishterëve në Nigeri si një “gjenocid”. Këto akuza mbështeten gjithashtu nga organizata dhe politikanë të krahut të djathtë evropian.

Në verilindje, kryesisht prej Boko Haram dhe grupit të tij, ISWAP, kanë humbur jetën mbi 40 mijë persona që nga viti 2009 dhe mbi 2 milionë banorë janë larguar nga zonat e tyre.

Shpërndaje në: