Tërmeti 4.2 ballë trondit Shqipërinë
Një tërmet me fuqi 4.2 ballë të shkallës Rihter u regjistrua në hyrje të ditës së enjte 1 shtator 2016. Epiqendra e tërmetit që u regjistrua në orën 00.21 ishte 49 kilometra në jug të Tiranës, me vatër 15 kilometra larg qytetit të Librazhdit dhe 17 kilometra në lindje të Vevçanit të Maqedonisë, raporton NOA.al duke cituar burime zyrtare nga Instituti i Sizmologjisë në Tiranë. Thellësia e tërmetit ishte dy kilometra. Tërmeti u ndje në të gjithë Shqipërinë e Mesme e më gjerë në juglindje, ku më shumë në Pogradec si dhe në gjysmën e Maqedonisë. Në Shqipëri, ky tërmet më së shumti u ndje në Elbasan ku qytetarët thonë se ishte një lëkundje sizmike që i shkundi ndërsa shumë prej tyre flinin gjumë pas mesnate.
Pak minuta pas tërmetit që “shkundi” shumë njerëz në Shqipëri dhe Maqedoni, mbrëmjen e kaluar ku një pjesë e mirë ishin në gjumë. Një 36 vjeçar me banim në qytetin e Elbasanit, pohon se tërmeti ishte i fortë: “Ishte i frikshëm. Na shkundi. Unë që jam në katin e dhjetë të një pallati këtu në qendër të Elbasanit, e ndjeva shumë. Por edhe të tjerë në katet më të ulëta e në gjithë qytetin”.
Një tjetër banor i Elbasanit, tregon: “U trembëm shumë. Mendoj se zgjati 2 sekonda, por menjëherë vrapuam tek dera. Mendonim në çdo çast tërmetin e frikshëm që ndodhi para pak ditësh në Itali”. Po nga Elbasani, dëshmon një tjetër banor: “Jetoj në një shtëpi në katin e pestë këtu në Elbasan. Isha në krevat kur ndjeva shkundjen. U tremba shumë kur shtrati im nisi të dridhet”.
Nga Tirana, një banor i saj, u shpreh: “E ndjeva tërmetin. Jo i fortë, jo për t’u trembur”. Por të tjerë nga Tirana, japin dëshmi të ndryshme: Njëri shprehet: “Krevati im u drodh”. Një i tretë shton: “Zot i madh na ruaj”. Kurse një banor tjetër i Tiranës, detajon: “Ndjeva lëkundje horizontale. Jam me shtëpi në katin e shtatë të një pallati dhe u tremba”. Një tjetër po në Tiranë, duke raportuar dëshminë e tij tek portali evropian i regjistrimit të tërmeteve, pohon: “Ishte tërmet që të trembte. Ndjeva krevatin tim të dridhej, dukej sikur po lëvizte, ishte lëkundje horizontale”. Një qytetar me banim në Boroec, 16 kilometra larg epiqendrës së tërmetit, tha se ishte një lëkundje e fortë. Një tjetër qytetar, nga Struga, 26 kilometra larg epiqendrës, tha se ndjeu një shkundje të fortë në banesën e tij në katin e katërt të një pallati. “I frikshëm”, thotë ai. Ndërsa një tjetër banor i Strugës, thotë: “Tërmeti ishte i shkurtër por na trembi shumë të gjithëve këtu në Strugë”. “I fortë” ky tërmet, thotë një tjetër qytetar, nga Debar në Maqedoni.
Sakaq, A.D, banor i Librazhdit, në komentin e tij te lajmi i NOA.al në Facebook, pohon se “në Librazhd u ndje shumë”. Ai shton: Thonë që ishte 4.2 ballë, por katet e larta janë ato që e ndjejnë. Unë jam në punë, ra goxha”. J.M. që jeton në Selanik, shprehet e shqetësuar: “Mbaje dorën e Zot”, – thotë ajo. Kurse D.T. nga Përrenjasi pohon se “ishte një lëkundje shumë e frikshme”. T.B nga kryeqyteti pohon se “tërmeti u ndje dhe në Tiranë”. Kurse S.Ll nga Tirana thotë se ajo jeton te zona e Bërrylit dhe nuk e ndjeu në vilën ku jeton në katin e dytë. I.D. nga Elbasani pohon se ishte “lëkundje shumë e fortë”. Tërmeti 4.2 ballë “shkund” Shqipërinë dhe Maqedoninë.



