Thellohet skandali në futbollin turk, arrestohet presidenti i Fenerbahçes
Sadettin Saran, presidenti i Fenerbahçes, një prej klubeve më të mëdha sportive në Turqi, është ndaluar të mërkurën në Stamboll në kuadër të një hetimi të zgjeruar për drogë, raportojnë mediat shtetërore turke.
Sipas transmetuesit publik TRT, Sadettin Saran, shtetas me nënshtetësi të dyfishtë turke dhe amerikane, është marrë në paraburgim vetëm disa orë pasi analizat forenzike kanë zbuluar gjurmë narkotikësh në mostrat e flokëve të tij. Ai ishte thirrur javën e kaluar për të dëshmuar para prokurorëve dhe ishte dërguar në një institucion mjeko-ligjor për analiza të flokëve dhe gjakut.
Që nga fillimi i dhjetorit, qindra persona janë arrestuar në kuadër të këtij hetimi, i cili po udhëhiqet nga Zyra e Kryeprokurorit të Stambollit. Në mesin e të dyshuarve ka prezantues televizivë, gazetarë, këngëtarë, aktorë dhe figura të rrjeteve sociale, të cilët përballen me akuza që variojnë nga prodhimi dhe shpërndarja e drogës deri te lehtësimi i prostitucionit.
Saran, i lindur në Denver të SHBA-së dhe i zgjedhur president i Fenerbahçes në shtator, ishte marrë në pyetje javën e kaluar nën dyshimin për furnizim dhe mundësim të përdorimit të substancave narkotike.
Klubi i Fenerbahçes ka reaguar përmes një deklarate, duke shprehur mbështetje për presidentin dhe duke siguruar tifozët se funksionimi i klubit do të vazhdojë pa ndërprerje.
“Kemi besim të plotë se presidenti ynë do ta kalojë këtë proces me të njëjtën maturi dhe qëndrueshmëri që ka treguar gjithmonë”, thuhet në deklaratën e klubit.
Sarani ka mohuar rezultatin e testit, duke deklaruar se nuk ka përdorur kurrë substancë dhe se do të kërkojë zyrtarisht rianalizim të mostrave.
Fenerbahçe, me seli në Stamboll, është një nga klubet më të suksesshme dhe më të ndjekura në Turqi. Në të kaluarën, klubi është përfshirë edhe në hetime të tjera, përfshirë skandale të trukimit të ndeshjeve dhe basteve ilegale, ndërsa ka ekipe aktive edhe në sporte të tjera si basketboll, volejboll, atletikë dhe not.
Së fundmi, futbolli turk u godit nga dyshimet e reja për trukime. U pezulluan qindra gjyqtarë e lojtarë.



