Thellohet skandali: Sipas ekspozitës së Gashit, nga 5 deri më 7 mars 1998, u vranë vetëm 37 shqiptarë civilë në Prekaz

Thellohet skandali: Sipas ekspozitës së Gashit, nga 5 deri më 7 mars 1998, u vranë vetëm 37 shqiptarë civilë në Prekaz

Sipas ekspozitës e cila është e hapur në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, e që bazohet në librin e Shkëlzen Gashit, ndërmjet datave 5 e 7 mars të vitit 1998, në Prekaz u vranë 37 civilë shqiptar.

Gashi, në librin e tij, të cilin e ka shfytëzuar edhe për ekspozitën në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, ka shfaqur kinse në Prekaz janë vrarë, vetëm 37 civilë shqiptarë.

Historiani, Durim Abdullahu, pati shpjeguar anomalitë të Gashit për këtë temë.

Çka shkruante Abdullahu:

Ndër huqjet më të mëdha të librit “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, është rasti i Prekazit. Te teksti për Prekazin, është shkruar që “Nga të dhënat e HLC-së, rezulton se forcat serbe në këtë offensive kanë vra 59 veta në Prekaz, tre në Polac, dy në Llaushë, dy në Turiqec, një në Burojë dhe një në Tushilë, pra gjithsej 68 veta, prej të cilëve 40 civilë ishin civilë të paarmatosur”. Nisur nga kjo logjikë, te tabela me grafikonin e masakrave, numri i të vrarëve në Prekaz është shënuar i zbritur në 40. Në këtë rast, autori i ka ndarë të vrarët nga 68 gjithsej, në 28 të armatosur dhe 40 civilë të paarmatosur, prej të cilëve vetëm këta të fundit janë cilësuar viktima të një masakre. Sipas këtij kriteri, konkludohet që Adem dhe Hamëz Jashari bashkë me djemtë e tyre që luftuan më 5 mars 1998 në shtëpitë e tyre ishin të vrarë si luftëtarë, kurse pjesëtarët e tjerë të familjes, gratë dhe fëmijët e tjerë të vrarë pranë tyre dhe në po të njëjtat shtëpi ishin viktima të një masakre. Apo që Kajtaz, Faik, Sherif e Ali Jashari që luftuan bashkë me ta dhe të tjerë atë ditë ishin gjithashtu të vrarë luftimesh, kurse familjarët dhe kushërinjtë e tyre të vrarë më 5 mars 1998 ishin thjesht të vrarë të një masakre të kryer nga forcat serbe. E njëjta logjikë sjell te konkluzioni po kaq i palogjikshëm që Sala dhe Hamit Jashari që luftuan në shtëpitë e tyre ato ditë janë të vrarë, kurse anëtarët e tjerë të familjes së tyre dhe kushërinj të tjerë në fqinjësi ishin viktima të masakrës së Prekazit. Kjo ndarje e të vrarëve në Prekaz në 40 viktima civile si viktima të një masakre nga të tjerë që ishin të armatosur si dy kategori të veçanta, më e pakta është shpërfillje e kontekstit të operacionit policor dhe ushtarak të Serbisë në Prekaz gjatë atyre ditëve të marsit 1998. Ngjarjet e rastit të Prekazit, nuk e përmbushin njërin nga kushtet kyçe të mënyrës se si e ka përkufizuar masakrën edhe vetë autori në hyrje, që të vrarët “nuk janë të përfshirë në konflikt si luftëtarë”. Të vrarët në Prekaz ishin të përfshirë në mënyrë të pashqitshme dhe me vetëdije në një rezistencë të armatosur dhe të organizuar. Këtu përfshihen edhe djem dhe vajza nën moshën madhore, mes 13 dhe 18 vjeç, sikur Besimi, Fitimi dhe Kushtrimi por edhe të tjerë që atë ditë ishin përfshirë në luftime. Veçanërisht pas sulmit të policisë serbe gjashtë javë më herët, më 22 janar 1998, prej kur e tërë lagjja Jashari dhe banorët e Prekazit në përgjithësi ishin organizuar në roje të armatosur, çdo natë, nga ora 21:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit. Pra, kriteri i sipërshënuar nuk mund të shërbejë për t’i ndarë të vrarët në dysh dhe përvijuar ata në dy kategori, meqë termi “masakër” është i bazuar vetëm nëse mund të jetë i referueshëm ndaj rrethanave të tërësishme të rastit dhe jo duke i seleksionuar dhe marrë të vrarët veç e veç.

Shpërndaje në: