Thirrjet e tifozëve kundër myslimanëve, Federata e Futbollit të Spanjës rrezikon dënim të rëndë
FIFA ka nisur zyrtarisht një procedurë disiplinore ndaj Federatës Spanjolle të Futbollit, pas incidenteve të ndodhura gjatë ndeshjes miqësore kundër Egjiptit.
Sipas raportimeve, gjatë zhvillimit të takimit, një pjesë e tifozëve spanjollë janë përfshirë në thirrje ofenduese me përmbajtje fetare, duke kënduar: “Kush nuk kërcen është mysliman!”, një slogan që është konsideruar diskriminues dhe i papranueshëm në kontekstin sportiv ndërkombëtar.
Në një deklaratë zyrtare, FIFA theksoi se çdo formë diskriminimi, përfshirë atë mbi baza fetare, bie ndesh me rregulloret dhe vlerat themelore të organizatës. “FIFA mban një qëndrim zero tolerancë ndaj sjelljeve të tilla dhe do të shqyrtojë me kujdes të gjitha provat përpara se të marrë vendimin përfundimtar,” thuhet në komunikatë.
Federata Spanjolle ende nuk ka dhënë një reagim të detajuar mbi incidentin, por pritet që të bashkëpunojë me organet disiplinore për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Në raste të ngjashme, sanksionet mund të përfshijnë gjoba financiare, zhvillim ndeshjesh pa tifozë, apo masa të tjera disiplinore.
Procedura është ende në fazë hetimi dhe vendimi përfundimtar pritet të merret në ditët në vijim, me Federatën e Spanjës që pritet të dënohet me dënim jo të lehtë.



