Tifozët e Fenerbahçes i kundërpërgjigjen Partizanit për Betejën e Kosovës: Jeni të gjithë turq

Tifozët e Fenerbahçes i kundërpërgjigjen Partizanit për Betejën e Kosovës: Jeni të gjithë turq

Tensionet mes tifozëve të Fenerbahçes dhe Partizanit të Beogradit janë rindezur pas ngjarjeve të fundit në Euroligë, të lidhura me referenca historike për Betejën e Kosovës të vitit 1389.

Në ndeshjen e javës 12 të Euroligës në Beograd, tifozët e Partizanit shfaqën një pankartë të madhe me figurën e Millosh Obiliqit, personazh mesjetar serb që pretendohet se vrau Sulltan Muratin I gjatë Betejës së Kosovës më 1389.

Pankarta u konsiderua gjerësisht si provokuese dhe fyese ndaj tifozëve turq, ndërsa në palestër u dëgjuan edhe kore kundër Turqisë.

Euroliga e pati gjobitur Partizanin me 40 mijë euro për “incidente të shumta të shkaktuara nga tifozët gjatë ndeshjes kundër Fenerbahçes” dhe vendosi që ndeshjet e ardhshme në shtëpi të zhvillohen me kapacitet të reduktuar në 80 për qind. Megjithatë, kjo masë u pezullua me kusht deri në fund të sezonit 2025/26, me paralajmërimin se çdo shkelje tjetër do ta aktivizojë menjëherë kufizimin.

Fenerbahçe kishte paraqitur ankesë për incidentin. Anëtari i bordit, Cem Ciritçi, deklaroi se, “pavarësisht paralajmërimeve, autoritetet lejuan shfaqjen e pankartës”.

Në ndeshjen e javës së 28-të, më 25 shkurt (dje), në Stamboll, Fenerbahçe priti Partizanin në shtëpi. Këtë herë, tifozët vendas shpalosën një pankartë me mbishkrimin: “Ju jeni të gjithë turq!”.

Sipas Agjencisë Anadolu, pankarta u paraqit si kundërpërgjigje ndaj asaj të shfaqur në Beograd dhe përmbante referenca historike për Perandorinë Osmane dhe përkuljen e ushtrisë kryqtare.

Sa i përket ndeshjes në parket, Feneri triumfoi 81:78, raporton Koha.net, transmeton Periskopi.

Beteja e Parë e Kosovës më 28 qershor 1389 u zhvillua mes ushtrisë osmane të udhëhequr nga Sulltan Murati I dhe një koalicioni ballkanik të drejtuar nga princi serb Lazar Hrebeljanoviq.

Rreth vdekjes së Muratit ekzistojnë versione të ndryshme historike. Disa dokumente të hershme përmendin vrasjen e tij gjatë betejës, pa e identifikuar autorin, ndërsa disa burime theksojnë se u vra nga Millosh Obiliqi, i cili, sipas këtyre rrëfimeve, iu afrua sulltanit me pretekstin e konvertimit dhe më pas e goditi me thikë.

Sipas traditës osmane, organet e brendshme të Muratit u varrosën në vendin e ngjarjes, ndërsa trupi i tij u dërgua në Bursa për varrim.

Beteja e Kosovës konsiderohet ngjarje kyç në narrativën kombëtare serbe dhe mbetet e rëndësishme në kujtesën historike të Serbisë./Periskopi/

Shpërndaje në: