Kush ishte Hamza bin Laden, trashëgimtari i të frikshmit Osama?

Kush ishte Hamza bin Laden, trashëgimtari i të frikshmit Osama?

Dje u dha lajmi se Hamza bin Osama bin Mohammed bin Awad bin Laden i njohur shkurtimisht si Hamza bin Laden, ishte vrarë nga një sulm ajror. Babai i tij, Osama bin Laden, ishte një kriminel i njohur ndërkombëtar që kishte projektuar sulmet terroriste të 11 shtatorit mbi Kullat Binjake. Ky i fundit ishte vrarë në muajin maj të vitit 2011.

Hamzai ishte i martuar me vajzën e Mohamed Attas, njërit prej rrëmbyesve të aeroplanit që kishte goditur kullat binjake më 11 shtator 2001.

Në vitin 2007, Hamzai kishte qenë i implikuar në vrasjen e kryeministres pakistaneze Benazir Bhutto. Sidoqoftë, pas marrjes në pyetje të zëdhënësit të al-Qaedas, Sulaiman Abu Ghaith, Hamzai kishte qenë në arrest shtëpiak në Iran kur Bhutto ishte vrarë.

Më 14 gusht të vitit 2015, ai kishte publikuar një audio-mesazh për herë të parë. Ai iu bënte thirrje përkrahësve në Kabul, Baghdad dhe Gaza që të nisnin xhihadin, apo luftën e shenjtë, në Washington, Londër, Paris dhe Tel Aviv, shkruan Periskopi.

Në korrik të 2016-s, mediat raportuan që ai kishte publikuar një tjetër audio-mesazh ku kërcënonte Shtetet e Bashkuara me hakmarrje pas vrasjes së babait të tij.

Më 28 shkurt të këtij viti, Departamenti i Shtetit i ShBA-ve ofroi shpërblim prej 1 milion dollarësh për çdo informacion që çonte në identifikimin apo lokacionin e Hamzait.

Më 1 mars të këtij viti, po ashtu, Mbretëria e Arabisë Saudite kishte njoftuar që ia kishte revokuar nënshtetësinë bin Ladenit.

Letrat që ekipie Seal ia zuri pas bastisjes dhe vrasjes, bin Ladenit, nënkuptonin që Hamzai do të ishte trashëgimtari i tij pas vdekjes së vëllait të madh, Saadit.

Dje u raportua që bin Ladeni ishte vrarë gjatë dy viteve të para të administratës Trump. /Periskopi

Shpërndaje në: