Zbulohet mënyra se si ishte sulmuar portali Insajderi: Arrestohet Ardian Alaj
Çështja e sulmit mbi portalin “Insajderi” e kishte shqetësuar opinionin në Kosovë. Por sot, Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka arrestuar Ardian Alajn, person i dyshuar për këtë rast. Alaj është arrestuar si i dyshuar për tri vepra penale: ndërhyrje në sisteme kompjuterike, keqpërdorim të besimit dhe vetëgjyqësi.
Kjo ka ndodhur pasi rasti ka të bëj me marrjen nën kontroll në mënyrë joligjore të gazetës online në fjalë, që kishte pronësinë e gazetarëve Parim Olluri dhe Vehbi Kajtazi.
Përveç kësaj, të dyshuarit kanë arritur që përkohësisht ta marrin nën kontroll edhe faqen e Facebookut të Insajderit, duke prezantuar dokumente të rrejshme.
Ata, kanë ndryshuar emrin e një firme “Shqip SHPK” të regjistruar në 2009, në “Insajderi SHPK”, për ta vënë në lajthitje :”Facebookun” dhe organet e hetuesisë.
“SHQip SHPK”, është regjistruar në Agjencinë për Regjistrim të Bizneseve me 2 qershor 2009, derisa emri në “Insajderi SHPK”, i është ndërruar 8 maj 2020. Me këto dokumente kanë vënë në lajthim Policinë dhe “Facebookun”, për ta marrë faqen e “Insajderit”.
Ndërkohë, të dyshuarit pas marrjes nën kontroll të “Insajderi.com”, kanë vazhduar me sulme kundër pronarëve Vehbi Kajtazi dhe Parim Olluri, se gjoja ata janë shkarkuar nga detyrat për shkak të keqpërdorimeve.
Të dyshuarit janë të njohur për sulme kundër medieve. Florim Alaj, është i akuzuar për sulm kibernetik kundër mediumit, “Infokusi”.







