Trajneri i Dinamo Zagrebit: Skënderbeu u kualifikua falë shpirtit luftarak
Trajneri i Dinamos së Zagrebit, Mario Cvitanoviç, ka uruar Skënderbeun për kualifikimin në fazën në grupe të Ligës së Europës, duke e cilësuar më se të merituar.
“Do të jem i sinqertë, ekipi që e ndjeu më shumë në zemër dhe luftarak në këto 180 minuta u kualifikua dhe unë i përgëzoj për këtë. Është shumë pak të luash vetëm 45 minuta në këto ndeshje dhe të synosh kështu kualifikimin në Ligën e Europës.
Na ndodhi në të dy pjesët e para, nuk ia dolëm mbanë përballë një kundërshtari agresiv, kemi bërë shumë gabime, ishim shumë statikë, nuk lëviznim pa top, as fitonim duele”, tha Cvitanoviç pas ndeshjes.
“Në pjesën e dytë ne ishim më të shpejtë dhe luanim më thjeshtë. Krijuam 3-4 mundësi shënimi, por nuk dërguam topin në rrjetë. Nuk dua të gjykoj askënd, por në disa situata gjyqtari ishte nën trysni.
Jemi jashtë Europës pas 11 vitesh por duhet të mbajmë kokën lart. Pas 90 minutave pa energji dhe përqendrim nuk mund të presësh sukses. Unë jap më të mirën time, por nëse kjo nuk mjafton, nuk është faji im”, tha trajneri, duke fajësuar kësisoj lojtarët e tij.



