Trajneri i Serbisë: Do të shkojmë për fitore kundër Shqipërisë, e dimë si duhet të luajmë
Serbia do të presë Shqipërinë të shtunën në orën 20:45 në Leskovac, në ndeshjen që do të luhet në kuadër të Kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026.
Trajneri i Serbisë, Dragan Stojkovic thotë se janë përgatitur për këtë sfidë – pavarësisht lëndimeve që kanë hasur disa lojtarë.
“Mësojmë nga çdo ndeshje, por e shihni që edhe më të mirët, si Real Madridi dhe Barcelona, humbasin. Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme për ne. Tani ndeshjet e ardhshme janë të rëndësishme për ne, veçanërisht ajo me Shqipërinë. Nuk po mendoj fare për Andorrën, vetëm për Shqipërinë. Nuk ka kuptim të kthehemi në të kaluarën, duhet të mendojmë për të ardhmen”, shtoi Stojkovic.
Ai potencoi se ky ballafaqim është tejet i rëndësishëm për ta, teksa pati edhe thirrje për tifozët.
“Kjo ndeshje kundër Shqipërisë është një luftë e drejtpërdrejtë për fazën eliminatore. Mendoj se kemi forcë dhe cilësi të mjaftueshme për të shkuar më tej. Do të doja t’u bëja thirrje tifozëve që të sillen drejt dhe saktë në tribuna. Kjo është me shumë rëndësi, nuk dua që të ndëshkohemi. Kombëtarja kërkon vetëm një gjë, dhe kjo është mbështetje. Ne duam të jemi të përqendruar vetëm në fushë”, theksoi ai.
Në fund, ai foli edhe për Shqipërinë, që e cilësoi si kundërshtar shumë të fortë.
“Shqipëria është një ekip i shkëlqyer dhe me cilësi shumë të lartë. Ata janë rivalët tanë më të mëdhenj në grup. Nuk mund të luash me Francën, Gjermaninë dhe Portugalinë çdo ditë. Kjo është ndeshja dhe kundërshtari më i rëndësishëm për mua në këtë moment. Ne po shkojmë drejt një triumfi dhe nuk dua të mendoj për humbjen. Nuk e di se si do të luajnë ata, por e di se si duhet të luajmë ne. Pres një ndeshje me intensitet të lartë”, tha Stojkovic.



