Tramezzani: Xhaka meriton edhe një tjetër shans te Kombëtarja e Shqipërisë
Në Shqipëri ishte gjithmonë numri dy dhe për opinionin sportiv shihej vetëm si ndihmësi dhe miku i Gianni De Biasit. Mirëpo, puna dhe rezultatet me Kombëtaren treguan se Paolo Tramezzani nuk ishte thjesht ndihmës në atë rrugëtim, por një nga personat në stafin e Kombëtares që ka dhënë shumë për të ndërtuar dhe vënë në zbatim atë projekt që u finalizua me mbërritjen në “Euro 2016”.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, Tramezzani rrëfen edhe raportet e tij me Taulant Xhakën dhe mënyrën si menaxhohet një futbollist me një karakter të tillë, pas situatës që u krijua mes lojtarit dhe trajnerit të ri të Kombëtares.
Sipas ish-ndihmësit të De Biasit, Xhaka e meriton patjetër një shans për të qenë në Kombëtare për vetë dëshirën dhe ndjeshmërinë që ka për fanellën dhe kombin.
Ai tregon se miku i tij, Christian Panucci, do ta pëlqejë vërtet një lojtar që ka një karakter të tillë. Tramezzani sugjeron të krijohet një mundësi takimi për të dy.
Keni nisur me merkato “made in Albania” te Sioni me Emir Lenianin. Mediat raportojnë se prisni Migjen Bashën dhe Ledian Memushajn:
Do të më pëlqente shumë që të sillja në këtë ekip djemtë që unë i kam stërvitur më parë, sidomos lojtarët shqiptarë me të cilët kam punuar prej pesë vitesh.



