Trump flet për 5 miliardë euro për Gazën nga Bordi i Paqes, pjesë e të cilit është edhe Kosova

Trump flet për 5 miliardë euro për Gazën nga Bordi i Paqes, pjesë e të cilit është edhe Kosova

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se shtetet anëtare të Bordit të Paqes në takimin e së enjtes në Uashington do ta shpallin njoftimin për donacione prej më shumë se 5 miliardë dollarësh për rindërtim dhe për  përpjekjet humanitare në Gaza.

Në një postim në Truth Social të dielën, Trump shkroi se shtetet anëtare kanë angazhuar gjithashtu mijëra personel për një forcë stabilizimi të autorizuar nga OKB-ja dhe policinë lokale në enklavën palestineze.

Presidenti i SHBA-së tha se mbledhja e së enjtes, takimi i parë zyrtar i grupit, do të zhvillohet në Institutin e Paqes Donald J. Trump, të cilin Departamenti i Shtetit së fundmi e riemërtoi sipas presidentit. Pritet të marrin pjesë delegacione nga më shumë se 20 vende, përfshirë krerë shtetesh.

Krijimi i bordit u mbështet nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara si pjesë e planit të administratës Trump për t’i dhënë fund luftës midis Izraelit dhe grupit islamist palestinez Hamas në Gaza.

Izraeli dhe Hamasi ranë dakord për planin vitin e kaluar me një armëpushim që hyri zyrtarisht në fuqi në tetor, megjithëse të dyja palët e kanë akuzuar njëra-tjetrën vazhdimisht për shkelje të armëpushimit. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, më shumë se 590 palestinezë janë vrarë nga trupat izraelite në territor që nga fillimi i armëpushimit. Izraeli ka thënë se katër nga ushtarët e tij janë vrarë nga militantët palestinezë në të njëjtën periudhë.

Shpërndaje në: