“Trump-i i kërkoi Zelensky-t të pranonte kushtet e Putin-it ose të “shkatërrohej” nga Rusia”
Në një takim të tensionuar në Shtëpinë e Bardhë të premten, presidenti amerikan Donald Trump i kërkoi homologut ukrainas Vollodimir Selenski të pranonte kushtet e Vlladimir Putinit për t’i dhënë fund luftës, duke e paralajmëruar se Rusia do ta “shkatërronte” Ukrainën nëse nuk binte dakord.
Sipas burimeve të pranishme, takimi shpesh u kthye në një “përplasje me britma”, ku Trump përdori gjuhë të ashpër dhe hodhi mënjanë hartat e vijës së frontit në Ukrainë. Ai këmbënguli që Selenski t’i dorëzonte Rusisë të gjithë rajonin e Donbasit, duke përsëritur fjalë për fjalë disa nga argumentet e Putinit pas një telefonate mes tyre një ditë më parë, përcjell Periskopi.
Megjithëse Ukraina arriti ta bindte Trump të mbështeste ngrirjen e vijës aktuale të frontit, takimi tregoi pozicionin e paqëndrueshëm të presidentit amerikan ndaj luftës dhe gatishmërinë e tij për të pranuar kërkesat maksimale të Kremlinit. Selenski kishte shkuar në Washington me shpresën për të siguruar raketa me rreze të gjatë veprimi “Tomahawk”, por Trump refuzoi t’i ofronte ato.
Burime evropiane thanë se gjatë takimit Trump i tha Selenskit se “duhet të arrish një marrëveshje ose do të shkatërrohesh”, duke shtuar se Ukraina “po e humb luftën”. Në një moment, presidenti amerikan hodhi mënjanë hartat që tregonin situatën e betejave, duke i konsideruar të parëndësishme. Ky episod pason një takim po aq të tensionuar në shkurt, kur Trump dhe zëvendëspresidenti J.D. Vance e akuzuan Selenskin për mungesë mirënjohjeje ndaj ndihmës amerikane.
Në deklaratat e dhëna për Fox News të dielën, Trump tha se ishte i sigurt për arritjen e paqes, duke pranuar se “Putini do të marrë diçka, sepse ka fituar disa territore”. Raportimet tregojnë se Putini i kishte bërë Trumpit një ofertë të re një ditë më parë, ku Ukraina do të dorëzonte pjesët e Donbasit që ende kontrollon, në këmbim të disa zonave të vogla në Herson dhe Saporishja. Pas takimit, Selenski u shfaq i zhgënjyer dhe bëri thirrje për “hapa vendimtarë” nga SHBA, Europa dhe vendet e G20 e G7 për t’i dhënë fund agresionit rus, ndërsa zyrtarët evropianë e përshkruan situatën si “jo optimiste, por pragmatike”.



