Trump: Irani të arrijë një marrëveshje ose sulmi i ardhshëm i SHBA-së do të jetë shumë më i keq
Presidenti amerikan, Donald Trump, përsëriti thirrjen e tij për Iranin që të “arrijë një marrëveshje” për programin e tij bërthamor ose në të kundërtën do të përballet “me sulmin më të keq deri më tani”, më i ashpër sesa sulmet e vitit të kaluar kur sulmet ajrore amerikane dhe izraelite shënjestruan ndërtesat bërthamore iraniane.
Trump ka kërcënuar me sulme ushtarake kundër Iranit pas një shtypjeje brutale ndaj protestave antiqeveritare, për të cilat grupet e të drejtave të njeriut dhe dëshmitarët okularë thonë se lanë mijëra të vrarë.
Shtetet e Bashkuara ditët e fundit kanë dislokuar avionë luftarakë, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe atë që Trump e ka quajtur një “flotë” në Lindjen e Mesme, një lëvizje që ka rritur tensionet me Iranin dhe ka shtuar gjasat për veprime ushtarake, sipas ekspertëve.
“Shpresojmë që Irani të vijë shpejt ‘në tryezë’ dhe të negociojë një marrëveshje të drejtë dhe të barabartë – PA ARMË BËRTHAMORE – një marrëveshje që është e mirë për të gjitha palët”, tha Trump në një postim në rrjetet sociale më 28 janar.
“Koha po mbaron! Siç i thashë Iranit edhe më parë, ARRINI MARRËVESHJE! Ata nuk e bënë, dhe ndodhi Operacioni Çekani i Mesnatës, një shkatërrim i madh i Iranit. Sulmi i radhës do të jetë shumë më i keq!”.
Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi më 27 janar se një grup aeroplanmbajtësish amerikanë, nën drejtimin e USS Abraham Lincoln, ndodhej në ujërat e Lindjes së Mesme.
Duke folur para deklaratave të Trumpit, ministri i Jashtëm iranian tha se negociatat me Uashingtonin nuk mund të zhvillohen në një atmosferë të kërcënimeve ushtarake.
Abbas Araqhchi, sipas medias shtetërore ISNA, tha më 28 janar se “ushtrimi i diplomacisë përmes kërcënimit ushtarak nuk mund të jetë efektiv ose i dobishëm”.
Ai shtoi se nuk kishte pasur “asnjë kontakt” me i dërguarin amerikan, Steve Witkoff, në ditët e fundit dhe se “Irani nuk ka kërkuar negociata”. Trump, nga ana tjetër, tha në një intervistë për Axios më 26 janar se Teherani kishte “thirrur në shumë raste”.



