Trump: Ushtria amerikane mbetet pranë Iranit derisa të arrihet “marrëveshja e vërtetë”
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se forcat amerikane do të mbeten të vendosura “në dhe përreth Iranit” derisa të arrihet një “marrëveshje e vërtetë”.
Armëpushimi i brishtë mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mbetet në pikëpyetje, kryesisht për shkak të asaj që Uashingtoni e përshkroi si “keqkuptim” – nëse përfshin edhe sulmet e Izraelit ndaj objektivave të Hezbollahut në Liban ose jo.
“Të gjitha anijet, avionët dhe personeli ushtarak amerikan, me municione, armë shtesë dhe çdo gjë tjetër që është e përshtatshme dhe e nevojshme për ndjekjen dhe shkatërrimin vdekjeprurës të një armiku tashmë të degraduar në mënyrë të konsiderueshme, do të mbeten në vend, brenda dhe përreth Iranit, derisa MARRËVESHJA E VËRTETË e arritur të zbatohet plotësisht”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social, vonë më 8 prill.
“Keqkuptimi” për Libanin
Armëpushimi përballet me pasiguri serioze, pasi nuk është e qartë nëse marrëveshja përfshin edhe sulmet e Izraelit ndaj Hezbollahut në Liban.
Hezbollahu është aleat i Iranit, ndërsa SHBA-ja e konsideron organizatë terroriste.
Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, gjatë një vizite në Hungari më 8 prill, tha se beson se ekziston një “keqkuptim legjitim”, në lidhje me kushtet e armëpushimit, të shpallura një natë më herët nga presidenti Trump.
“Mendoj se iranianët menduan se armëpushimi përfshinte Libanin, por thjesht jo”, tha ai, duke shtuar se “as ne dhe as izraelitët nuk thanë se ai do të ishte pjesë e armëpushimit”.
“Nëse Irani dëshiron që këto negociata të dështojnë… për shkak të Libanit… kjo është në fund të fundit zgjedhja e tij”, u tha ai gazetarëve, duke shtuar se Izraeli është i gatshëm të vetëpërmbahet nga sulmet e tij në Liban.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u tha gazetarëve se Libani nuk përfshihet në kushtet e armëpushimit.
“Kjo do të vazhdojë të diskutohet – jam e sigurt – midis presidentit dhe kryeministrit izraelit, [Benjamin] Netanyahu, Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, dhe të gjitha palëve të përfshira”, tha ajo.
Në një deklaratë të lëshuar nga zyra e Netanyahut u tha gjithashtu se armëpushimi nuk përfshin Libanin.
Kjo ishte në kundërshtim me një deklaratë të mëparshme nga kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, i cili po vepron si ndërmjetës midis dy palëve.
“Numri i të vdekurve në rritje”
Ministria e Shëndetësisë në Liban njoftoi më 8 prill se të paktën 250 persona u vranë brenda 24 orëve nga sulmet izraelite, që ndodhën menjëherë pas shpalljes së armëpushimit.
Autoritetet thanë se numri i viktimave pritet të rritet.
Shefi i të Drejtave të Njeriut të OKB-së, Volker Turk, tha se “shkalla e vrasjeve dhe shkatërrimit në Liban sot, është thjesht e tmerrshme”.
Kryqi i Kuq tha se ishte “i indinjuar nga vdekjet dhe shkatërrimi” në të gjithë Libanin.
Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha se 1.739 persona janë vrarë dhe 5.873 janë plagosur në Liban, që nga fillimi i luftës Izrael-Hezbollah, më 2 mars.
Kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Baqer Qalibaf, pretendoi se tri pjesë të propozimit prej 10 pikash të Iranit janë shkelur dhe shtoi se, në një situatë të tillë, “armëpushimi dypalësh ose negociatat janë të paarsyeshme”.
Në një postim në X, Qalibaf pohoi se shkeljet përfshijnë sulmet ndaj Libanit, hyrjen e një droni në hapësirën ajrore iraniane dhe “mohimin e së drejtës së Iranit për pasurim [të uraniumit]”.
Raportohet se Qalibaf pritet të udhëheqë delegacionin e Teheranit, së bashku me ministrin e Jashtëm, Abbas Araqchi, në bisedimet e ndërmjetësuara nga Pakistani në Islamabad, më 11 prill.
Presidenti iranian, Masud Pezeshkian, tha se armëpushimi në Liban është kusht thelbësor i marrëveshjes së vendit të tij me Uashingtonin.
Uashingtoni dhe Teherani ranë dakord më 7 prill për një armëpushim dyjavor, për t’u dhënë të dyja palëve kohë për të negociuar një marrëveshje paqeje.
Trump shkroi në mediat sociale se ka marrë një propozim prej 10 pikash nga Teherani dhe se bisedimet do të mbahen me dyer të mbyllura.
Ai tha se “vetëm një grup ‘PIKASH’ kuptimplote” ishte i pranueshëm për Shtetet e Bashkuara, megjithëse nuk dha detaje të tjera.
“Këto PIKA janë baza mbi të cilën ramë dakord për një ARMËPUSHIM”, tha ai.
Përveç mosmarrëveshjes për Libanin, perspektivat e një armëpushimi të qëndrueshëm i lëkund edhe pasiguria mbi lirinë e transportit detar në Ngushticën e Hormuzit.
Edhe pse nuk dha detaje për propozimin iranian, Trump këmbënguli se Teherani duhet të lejojë kalimin e lirë të anijeve në ngushticë – një korridor kyç detar nëpër të cilin kalojnë rreth 20 për qind e naftës dhe gazit botëror.
Trafik minimal në Hormuz
Sipas të dhënave nga monitoruesi detar, Marine Traffic, katër anije kaluan nëpër kanalin ujor më 8 prill.
“Shenjat e hershme të aktivitetit të anijeve po shfaqen në Ngushticën e Hormuzit, pas njoftimit për armëpushim, i cili përfshin rihapjen e përkohshme të kanalit strategjik ujor, për të mundësuar negociatat”, shkroi monitoruesi në një postim në X.
Ai shtoi se “qindra anije mbeten në rajon, duke përfshirë 426 cisterna, 34 transportues LPG dhe 19 anije LNG”.
Një zyrtar i lartë iranian tha se anijet që lundrojnë në ngushticë, megjithatë, kanë nevojë për lejen e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të Iranit, për të kaluar.
Agjencia e lajmeve Reuters dhe të tjera raportuan se transportuesit po prisnin më shumë sqarime, para se të rifillonin transitin.
Kjo rrugë ujore është thelbësore për transportin global të naftës dhe gazit natyror dhe ka qenë kryesisht e mbyllur që nga fillimi i sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, më 28 shkurt.
Teherani është hakmarrë duke lëshuar raketa dhe dronë kundër Izraelit dhe aleatëve arabë të SHBA-së në rajon.
Gazeta Wall Street Journal raportoi se Irani u tha ndërmjetësve se do të kufizojë numrin e anijeve që kalojnë ngushticën brenda ditës dhe se do të mbledhë tarifa për lejen e tij.
Para luftës, anijet lëviznin lirshëm nëpër ngushticë, pa pasur nevojë për koordinim me Iranin.
Wall Street Journal raportoi se Irani është duke vënë tarifa në juanë kinezë – një veprim që, sipas zyrtarëve rajonalë, kërcënon ta zvogëlojë ndikimin perëndimor dhe të aleatëve në tregjet e naftës.



