Trumpi do të vendosë tarifa shtesë prej 100% ndaj Kinës
Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se ShBA-ja do të vendosë një tarifë shtesë prej 100% mbi importet e Kinës, duke e akuzuar atë për marrjen e një “qëndrimi jashtëzakonisht agresiv” në tregti.
Në një postim në platformën e tij “Truth Social” të premten, Trumpi tha se Pekini i kishte dërguar një “letër jashtëzakonisht armiqësore botës” dhe kishte vendosur “kontrolle të eksportit në shkallë të gjerë mbi pothuajse çdo produkt që prodhojnë”.
Trump, i cili paralajmëroi se tarifat shtesë do të fillonin më 1 nëntor, tha se ShBA-ja do të vendosë gjithashtu kontrolle të eksportit për çdo softuer kritik për Kinën.
Ai shtoi se po i vendoste tarifat për shkak të kontrolleve të eksportit të vendosura nga Kina mbi metalet e rralla.
Ai shkroi: “Bazuar në faktin se Kina ka marrë këtë qëndrim të paprecedentë, dhe duke folur vetëm për ShBA-në, dhe jo për kombet e tjera që ishin të kërcënuara në mënyrë të ngjashme, duke filluar nga 1 nëntori 2025 (ose më shpejt, varësisht nga çdo veprim ose ndryshim i mëtejshëm i ndërmarrë nga Kina), Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosin një tarifë prej 100% ndaj Kinës, mbi çdo tarifë që ata po paguajnë aktualisht”.
“Është e pamundur të besohet se Kina do të kishte ndërmarrë një veprim të tillë, por ata e kanë bërë, dhe pjesa tjetër është histori. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!”, ka shkruar Trump.
Trumpi tha më herët sot se “duket se nuk ka asnjë arsye” për t’u takuar me udhëheqësin kinez Xi Jinping në një takim të planifikuar si pjesë e një udhëtimi të ardhshëm në Korenë e Jugut në fund të këtij muaji, shkruan Skynews.



