Turqia nuk do të dorëzohet në Siri, pavarësisht mbështetjes amerikane drejtuar kurdëve
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka thënë se operacioni ushtarak në Siri nuk do të ndalojë derisa të marrë fund terrorizmi, gjithashtu ai ka kritikuar deklaratat e fundit të administratës së SHBA-së drejtuar shtetit turk.
“Turqia nuk do të tërhiqet nga Siria derisa të eliminohet kërcënimi serioz i terrorizmit; Manbiji ka për të qenë i pari,” deklaroi Erdogan në një tubim në Ankara.
Erdogan edhe njëherë ka kritikuar administratën e Shteteve të Bashkuara mbi vërejtjet e fundit drejtuar operacionit ushtarak të Turqisë që po zhvillon në Sirinë veri-perëndimore, gjegjësisht në distriktin e Afrinit, raporton “Hurriyet”, transmeton Periskopi.
“Gjithmonë kam thënë se na u është imponuar një gjë e tillë. Nëse ka shumë njerëz të cilët guxojnë, ne guxojmë për t’i kundërshtuar ata,” shtoi ai.
Komentet e tij erdhën pasi zëdhënësja e Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara Heather Nauert kishte deklaruar se shteti i saj është i shqetësuar mbi situatën në Afrin.
Erdogan ka thirrur në telefon Presidentin e Shteteve të Bashkuara Donald Trump për të “eliminuar konfuzionet në politikat e SHBA-së,” drejtuar Turqisë.
“Ne presim që zoti Trump të ndërmarrë një pozicion parandalues në deklarata të tilla që kanë arritur një masë që mund të konsiderohet si kalimi i vijave. Këta folës në emër të zotit Trump nuk kanë ide se për çfarë janë duke folur,” tha ai.
Erdogan përsëriti deklaratat e tij se SHBA duhet t’i jap fund mbështetjes së YPG-së dhe Forcave Demokratike Siriane (SDF)./Periskopi/



