U shpërndanë fletushka me gjuhë të urrejtjes ndaj Imri Ahmetit, LDK e çon rastin në Polici
Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Lipjan ka denoncuar në polici rastin e shpërndarjes së fletushkave anonime që përmbajnë gjuhë urrejtjeje, shpifje dhe denigrim ndaj Kryetarit të Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti.
Në njoftimin zyrtar për media, LDK-Lipjan bën të ditur se Zyra Ligjore e degës ka paraqitur kallëzim penal në organet kompetente, me kërkesë për identifikimin e autorëve dhe shpërndarësve të këtyre materialeve anonime, përcjell Periskopi.
LDK në Lipjan njofton gjithashtu se do të kërkojë veprime të njëjta ligjore edhe ndaj personave që qëndrojnë prapa hapjes së profileve dhe llogarive në rrjete sociale, të cilat përdoren për shpifje, fyerje dhe propagandë denigruese.
“LDK Lipjan do të vazhdojë të mbrojë parimet e politikës së ndershme, konkurrencës së drejtë dhe respektit qytetar, duke refuzuar kategorikisht çdo tentim për degradim, shpërqendrim dhe sulm personal që synon të minimizojë punën dhe rezultatet konkrete në shërbim të qytetarëve”, përfundon njoftimi.




