UEFA publikon renditjen për kampionate: Kosova e mban pozitën e njëjtë, Kroacia fiton dy vende në Ligën e Kampionëve
Organi qeverisës i futbollit evropian, UEFA, e ka përditësuar sot në mëngjes renditjen e vende anëtare, sa i përket kampionateve. Megjithatë, Kosova e Shqipëria nuk kanë pësuar asnjë lëvizje.
Kosova radhitet në pozitën e 53-të, nga gjithsej 55 vende, ndërsa Shqipëria në pozitën e 36-të. Shqipëria i ka 7.500 pikë të grumbulluara dhe në garat evropiane marrin pjesë katër klube, ndërsa Kosova i ka 2.500 pikë dhe dy klube nga Kosova kanë të drejtë garimi në Evropë.


Këtë renditje e kryeson Spanja, mirëpo lajmin më të mirë e ka marrë Kroacia, e cila për shkak të ngritjes që ka pësuar, tani do të ketë të drejtë të garojë me dy klube në Ligën e Kampionëve.

Kjo renditje varet nga rezultatet e të gjitha klubeve të Federatave të Futbollit, të cilat marrin pjesë në garat e UEFA-s, Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës, gjatë pesë sezoneve të fundit.
Dy pikë shtohen për çdo fitore të klubeve në Evropë, dhe një për barazim. Këto pikë përgjysmohen për ndeshjen në rrethet kualifikuese.
Numri i pikëve të fituara çdo sezon përpjesëtohet me numrit e ekipeve që marrin pjesë nga ajo Federata e Futbollit brenda një sezoni. Pikë shtesë shtohen në bazë të arritjeve të klubeve:
Klubet që i arrijnë çerekfinale, gjysmëfinale apo finale të Ligës së Kampionëve ose Ligës së Evropës – 1 pikë shtesë
Klubet që kualifikohen për fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve – 4 pikë shtesë
Klubet që kualifikohen për 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve – 5 pikë shtesë.



