UEFA zhgënjehet pas vizitës bërë Mitrovicës e Prishtinës
Takimi ishte lënë për orën 10:00. Ai, që erdhi nga Norvegjia, “ishte vizatuar” para orës 10:00, ndërkohë që zyrtarët kosovarë u paraqitën para stadiumit pak minuta pas orës 10:00, shkruan sot Koha Ditore.
Qëllimi i këtij takimi ishte që të inspektohet stadiumi buzë lumit Ibër, për të cilin ditë më parë UEFA dha lejen se mund të zhvillohen ndeshjet ndërkombëtare për klube, natyrisht nëse intervenohet në të.
Pamja e stadiumit “Adem Jashari”, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë, për Bornon ishte e njëjtë si e dhjetë muajve më parë, kur inspektoi dhe dha rekomandime se çfarë pune duhet bërë aty për të plotësuar kriteret minimale të UEFA-s.
Borno nuk pa se kishte ndryshuar diçka për të mirë. Këtë e cilësoi si jokorrekte nga pala kosovare që nuk është punuar asgjë nga ajo që i kishte rekomanduar.
“E kam bërë listën për korrigjimet që duhen bërë kur kam qenë në prill dhe deri më tash asgjë nuk është bërë, kjo nuk është aspak korrekte. Ju e keni listën dhe nuk keni vepruar asgjë, nuk po më duket në rregull, pasi krahas listës kanë qenë edhe kërkesat”, ka thënë Borno.
Me Bornon ishin edhe dy inspektorët e deleguar nga UEFA, Nicolaus Marshall dhe Thomas Grunther, të cilët të martën ishin për inspektim në stadiumin e qytetit të Prishtinës. Të tre zyrtarët e UEFA-s, pas vizitës në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, ishin edhe në stadiumin e Prishtinës. Edhe me të Prishtinës nuk u ndanë të kënaqur.



