Uk Lushi për dëshminë e Rubinit: Qyqarë, si po ndiheni këto dy ditë?
Veprimtari i njohur shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Uk Lushi, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimit të institucioneve dhe politikanëve në Kosovë përballë zhvillimeve të fundit në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Përmes një postimi të drejtpërdrejt dhe emocional, ai ka kritikuar heshtjen dhe mungesën e guximit për të ngritur zërin kundër asaj që ai e quan padrejtësi ndaj ish-krerëve të UÇK-së
“Qyqarë shqiptarë! Politikanë dhe udhëheqës institucionesh në Kosovë! Shqiptarë kudo jeni! Qyqarë shqiptarë!”, shkruan Lushi në fillim të reagimit të tij, duke iu drejtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë krerëve institucionalë, të cilët, sipas tij, nuk kanë pasur kurajën të flasin hapur për keqtrajtimet që po ndodhin në Hagë.
Ai e merr si shembull gazetarin dhe ish-zyrtarin amerikan James Rubin, i cili gjatë dëshmisë së tij në Hagë kritikoi ashpër Prokurorinë e Specializuar, duke e quajtur procesin kundër ish-presidentit Hashim Thaçi “absurd” dhe “turp”.
“A po e shihni si flitet për dhe me abuzuesit?! Si James Rubini. Të padrejtës i thuhet e padrejtë. Pa dorëza. Sepse kjo është obligim moral, njerëzor dhe shtetëror”, shkruan Lushi.
Ai shpreh zhgënjim të thellë që një i huaj si Rubin po thotë publikisht gjëra që, sipas tij, shumica e politikanëve shqiptarë nuk kanë pasur guximin t’i thonë prej vitesh.
“A po ju vjen marre kur po e dëgjoni t’i thotë Prokurorisë Speciale në gojë James Rubin çka vetëm një pakicë krejt e vogël kemi guxuar t’i themi prej se ajo filloi keqtrajtimet?! Qyqarë, si po ndiheni këto dy ditë? A po tuteni hala duke parë amerikanin të bëjë atë që është dashur ta bëni ju?”, përfundon reagimin e tij



