Vdes personaliteti i njohur i futbollit italian (Foto)
Mediat italiane kanë bërë të ditur sot se është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare Guido Rosi, jurist dhe avokat i njohur i cili ka qenë drejtuesi më i lartë në Federatën Italiane të Futbollit në momentin më të vështirë të saj, pas procesit të “Calciopolit”.
Në vitin 2006, ai u emërua “komisar i jashtëzakonshëm” në Federatë, për të sjellë rregull në këtë institucion që ishte mbuluar nga kritikat dhe akuzat pas përfshirjes së shumë funksionarëve të tij në përgjimet e “Calciopoli”.
Gjatë kësaj periudhe, ai krijoi komisionin e famshëm i cili vendosi që Interi të merrte në tavolinë titullin kampion që kishte fituar Juventusi në fushë.
Kjo rriti më shumë armiqësinë mes dy skuadrave, pasi Rosi u akuzua asokohe se ishte një tifoz i Interit, meqë kishte qenë disa vite më parë pjesë e këshillit drejtues të zikaltërve dhe menjëherë pasi u largua nga FIGC, u punësua nga “Telecom”, në vendin që i la bosh një prej aksionerëve të skuadrës milaneze, Marko Tronketi Provera. Ai titull vazhdon të jetë “mollë sherri” edhe sot e kësaj dite.
Rosi cilësohej si një nga armiqtë më të mëdhenj të Luçiano Moxhit, drejtuesit aktual të Partizanit, me të cilin gjatë këtyre viteve nuk ka kursyer asnjëherë polemikat.





