Vëllai i Fadil Vokrrit tregon pse nuk përfshihet në futbollin kosovar
Është ky Adil Vokrri, vëllai i vogël i Fadil Vokrrit, kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK). Pasi u tërhoq nga futboll aktiv para 14 vjetësh, Adili i ishte përkushtuar zejes së trajnerit ku edhe pati suksese për aq kohë sa punoi. Por, prej vitit 2014 ai është distancuar.
“Ka dy vjet që vetëm po rri larg futbollit dhe për këtë ka shumë gjëra, por e para është vëllai im që është në krye të FFK-së, Fadili. Që do të thotë se suksesi im si trajner nuk e ka vlerën për shkak se njerëzit menjëherë do të fillojnë të mendojnë ndryshe, ndonëse askush nuk mund t’i kontestojë gjërat që i kam arritur, qoftë si futbollist apo trajner”, thotë Adili 47-vjeçar.



