Vëllai i Liridonës: Dyshojmë se e vranë për të përfituar para nga sigurimi jetësor
Familjarë të Liridona Ademajt nuk kanë dyshuar në asnjë moment që dhëndëri i tyre mund të ishte i lidhur me vrasjen e 30-vjeçares. Vëllai i saj, Leonardi, tregoi për dyshimet që lidhen me vrasjen. Tha se mund të jetë bërë shkaku i përfitimit nga sigurimi jetësor që Liridona ka në Suedi, e përfitues i të cilit pas vdekjes do të ishte bashkëshorti.
Liridona pati 13 vjet martesë me Murselin, i dyshuar se pagoi vrasjen e gruas së tij e me pas e inskenoi si grabitje.
E, Leonardi, vëlla i Liridonës, tha që familjarët nuk kanë dëgjuar për ndonjë problem.
“O jo, nuk ka shancë. Që 13 vite asnjë fjalë e vetme e konflikt mes tyre nuk ka qenë”, i tha ai KOHËS.
Sipas tij, që kur familjarët dëgjuan për vrasjen e saj as që kanë dyshuar që dhëndëri mund të jetë i përfshirë në ndonjë formë.
“Jo që nuk dyshuam, por as nuk donim me dyshu, sepse nuk mendonim që një njeri me aq gjakftohtësi mund ta vrasë gruan e tij pas 13 viteve martesë”, ka thënë vëllai i Liridonës së ndjerë.
Familjarët e Liridonës kanë folur me të herën e fundit, ditën kur është vrarë.
“Nuk ka pasur asnjë shqetësim. Ajo ishte tek ne dhe ne pasi u nisë rrugës e thirrëm për shkak që prej Gjakovës në Prishtinë është bukur larg, 1 orë e diçka. E thirrëm, e pyetem qysh kalove rrugës, a shkove mirë. Tha: jam duke shkuar me ngrenë darkë”, ka treguar Leonardi.
Dy djemtë e Liridonës po qëndrojnë tek familja e Naim Murselit, e familjarët e të ndjerës nuk kanë pasur kontakt më me ta. Të dy kanë nënshtetësi vetëm suedeze.
Vëllai i Liridonës së ndjerë konfirmoi se e motra kishte sigurim jetësor në Suedi, e që në rast të vdekjes së saj paratë do t’i shkonin familjes, përkatësisht bashkëshortit të saj. Përfitimi i shumës së sigurimit jetësor, sipas tij, mund të jetë motivi për vrasjen.
“Motivi mund të jetë vetëm paraja ose diçka kështu”, ka thënë leonardi. “Arsyeja mund të jetë e kësaj vlere monetare që e posedon me sigurim shëndetësor. Këtë e kemi arsye njëherë, por për me shumë Policia e kanë këtë punë dhe e dinë ata”.
Tridhjetëvjeçarja u vra katër ditë më parë. Policia në koordinim me Prokurorinë Themelore të Prishtinës ka arrestuar bashkëshortin e saj, si personin që ka porositur dhe paguar për vrasjen e saj e më pas e ka inskenuar rastin si grabitje. Murseli, sipas Prokurorisë, ka paguar të dyshuarin Granit Plava, i cili e ka ekzekutuar viktimën. E për pjesëmarrje në vrasje është arrestuar edhe pjesëtari i FSK-së, Kushtrim Kokalla, që është familjar i Murselit.
KOHA ka kontaktuar avokatët e të tre të arrestuarve.
Avokati i Naim Murselit, Ahmet Ahmeti, nuk ka dashur të deklarohet për këtë çështje.
“Unë jam avokat, nuk jap informata. E përfaqësoj Naimin. Nuk dua të deklarohem. Hajt mirupafshim”, ka qenë përgjigjja e shkurtër e Ahmetit.
E, avokati Skendër Gojani që e përfaqëson të dyshuarin Granit Plava, tha se do të flas të dielën pasi të mbahet seanca për caktimin e paraburgimit të të dyshuarve.
“Rasti është shumë i ndjeshëm. E kisha rezervu të drejtën pasi që nesër është seanca e parë e procesit, kështu që për çdo gjë që kemi, kemi me u dëgju nesër për informata të mëtutjeshme”, ka thënë Gojani.
Ndërkaq, avokati Ahmet Gjinovci që e përfaqëso të dyshuarin Kushtrim Kokalla, tha se klienti i tij nuk është i përfshirë në këtë rast.
“Jo, jo, nuk ka të bëje fare me kurrgjë. Ka me u vërtetu që nuk ka kurrgjë. Si i dyshimtë, por e kanë ndalë me siguri. Të shohim nesër çka po thonë e çka po shkruajnë në kërkesën për masën e paraburgimit. Tash për momentin ai është si i dyshimtë për vrasje, por tash e shikojmë nesër se çfarë vlerësimi prokurori jep në prova”, ka thënë Gjinovci.
Rasti fillimisht u raportua nga Policia si “grabitje me pasoja të vrasjes”. Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor, Policia ka njoftuar për arrestimin e dy personave.
Për të dielën në orën 09:30 është caktuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë seanca dëgjimore për Naim Murselin dhe dy të dyshuarit e tjerë.
Rasti ka nxitur shumë reagime.
Për të marten, duke filluar nga ora 18:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, është paralajmëruar protestë në mbrojtje të grave. Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist është organizator i protestës. Kjo organizatë ka njoftuar se do të organizojë një aksion simbolik të dielën pranë Pallatit të Drejtësisë, ku pritet të mbahen seanca gjyqësore për vrasjen e Liridona Murselit.
Presidentja Vjosa Osmani ka theksuar të shtunën se vrasësit e Liridona Ademajt, duhet të dënohen, ndërsa vrasjen e ka quajtur krim monstruoz.
“Femicidi është dëshmi rrënqethëse që shpërfaq pabarazinë e rrënjosur thellë dhe dhunën me të cilën përballen gratë. Është një rrëfim tragjik i jetëve të shkurtuara brutalisht vetëm për shkak të gjinisë. Humbja e jetëve të grave nga duart e burrave është një njollë në ndërgjegjen tonë kolektive”, ka thënë presidentja Osmani.
Ajo ka deklaruar se duhet veprim i shpejtë dhe vendimtar për t’u siguruar që drejtësia të mbizotërojë dhe që autorët ta marrin dënimin.
“Në këto momente të rënda për gjithë vendin tonë, ndajmë dhimbjen me familjen e Liridonës, e në veçanti me fëmijët e saj të cilët humbën nënën e tyre të shtrenjtë në rrethanat më monstruoze të mundshme”, ka theksuar presidentja.



