Vendime të rëndësishme të KQZ-së për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 28 dhjetorit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, gjatë mbledhjes së sotme mori vendim për caktimin e menaxherëve të Qendrave të Votimit jashtë Kosovës dhe autorizimin e stafit për tërheqjen e dërgesave nga kutitë postare jashtë Kosovës dhe stafit për asistim në procesin zgjedhor.
Në vazhdim të mbledhjes, KQZ mori vendim për zëvendësimin dhe emërimin e anëtarit të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Zubin Potokut nga radhët e subjektit politik Za Slobodu Pravdu i Opstanak.
Në pikën tjetër të rendit të ditës, KQZ mori vendim për emërimin e anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve të rregullta, atyre me kusht dhe anëtarëve rezervë për angazhim në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor.
Ndryshe, procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 948 qendra të votimit, me gjithsej 2,614 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2,557 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.
Po ashtu, KQZ mori vendim për emërimin e anëtarëve të ekipeve të numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit për angazhim në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit.



