Vendimi i Gjykatës Komerciale për dëmshpërblim në vlerë mbi 32 milionë euro, OEK: Drejtësia të veprojë në mënyrë të pavarur

Vendimi i Gjykatës Komerciale për dëmshpërblim në vlerë mbi 32 milionë euro, OEK: Drejtësia të veprojë në mënyrë të pavarur

Oda Ekonomike e Kosovës ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit që lidhen me një vendim gjyqësor për dëmshpërblim në vlerë mbi 32 milionë euro.

Përmes një reagimi, OEK ka shprehur shqetësimin për ndikimin që rastet etilla mund të kenë në stabilitetin ekonomik dhe besimin e biznesit.

Oda ka vlerësuar se është e domosdoshme që sistemi i drejtësisë të veprojë në mënyrë të pavarur dhe pa ndikime të jashtme.

Çdo tentativë për ta politizuar një vendim gjyqësor, sipas OEK, dëmton besimin në sistem dhe rrit pasigurinë në sektorin privat.

“Si Odë Ekonomike e Kosovës, konsiderojmë se rastet që prekin drejtpërdrejt buxhetin publik dhe klimën e investimeve duhet të adresohen me përgjegjësi të lartë institucionale. Është e domosdoshme që sistemi i drejtësisë të veprojë në mënyrë të pavarur dhe pa ndikime të jashtme. Çdo tentativë për ta politizuar një vendim gjyqësor apo për të ushtruar presion ndaj institucioneve të drejtësisë dëmton besimin në sistem dhe rrit pasigurinë në sektorin privat”, është thënë në reagimin e OEK, duke iu bërë thirrje institucioneve dhe akterëve politikë që të tregojnë përmbajtje dhe përgjegjësi në këtë rast.

“Diskursi publik duhet të jetë i matur dhe i bazuar në fakte, në mënyrë që të ruhet integriteti i kompanive dhe të parandalohet dëmtimi i padrejtë i reputacionit të tyre. Bizneset kanë nevojë për një ambient të parashikueshëm, siguri juridike dhe trajtim të barabartë para ligjit. Prandaj, u bëjmë thirrje institucioneve dhe akterëve politikë që të tregojnë përmbajtje dhe përgjegjësi, duke shmangur çdo veprim që mund të interpretohet si ndërhyrje në drejtësi”, është thënë tutje në reagim.

Shpërndaje në: