Vendimi i Speciales, Demaku: Të bëjmë çdo gjë që varet nga ne që drejtësia të mos zëvendësohet me padrejtësi
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Fadil Demaku, ka reaguar pas vendimit të sotëm të Gjykatës Speciale, e cila rrëzoi mocionin e mbrojtjes së krerëve të UÇK-së për heqjen e disa akuzave nga aktakuza.
Në reagim në Facebook, Demaku e ka quajtur këtë vendim “zhgënjyes”, por shtoi se kjo është vetëm një procedurë dhe nuk përcakton ende përfundimisht fatin e procesit gjyqësor.
“Refuzimi i mocionit për rrëzimin e një pjese të aktakuzës është zhgënjyes, por mbetet procedurë që nuk përcakton rrjedhën në vazhdim të procesit ndaj liderëve të UÇK-së.” – shkroi Demaku.
Demaku bëri thirrje për të vepruar në mënyrë që, siç tha ai, “që drejtësia të mos zëvendësohet me padrejtësi.”
“Koha që kemi përpara është mundësia jonë që, si vend me të kaluar të lavdishme, si një popull liridashës e i emancipuar dhe si institucione të përgjegjshme e me ndërgjegje të pastër, të bëjmë çdo gjë që varet nga ne që drejtësia të mos zëvendësohet me padrejtësi.
Në të kundërtën, do ta vërtetojmë atë që, si shumë herë në historinë tonë, në momente vendimtare ka dominuar smira, ngathtësia e injoranca, para aftësisë për të reflektuar për qëllime madhore.” – shkroi më tej deputeti i PDK-së.
Kujtojmë se Demaku kishe votuar kundër themelimit të Gjykatës Speciale.



