Venera Çerkini, tezakja e Presidentes, veç për dy vite shkeli 23 herë procedurat ligjore – detaje nga statistikat e KPMSHC-së
Numri i ankesave të paraqitura nga zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK) është tejet shqetësues për mënyrën e menaxhimit të kësaj Ministrie.
Periskopi ka kërkuar qasje nga KPMSHCK për numrin e ankesave që kanë ardhur nga Ministria që dikur udhëheqte Faton Peci, e numër dy ishte sekretarja Venera Çerkini – tezakja e Presidentes Vjosa Osmani.
Sipas të dhënave zyrtare për periudhën shtator 2023 – janar 2026, vetëm gjatë vitit 2024 janë regjistruar 15 ankesa, ndërsa në vitin 2025 janë 14 të tilla. Krahasuar me vitin 2023, kur ishin gjithsej 6 ankesa, trendi rritës është i dukshëm dhe shqetësues. Vetëm ky krahasim mjafton për të kuptuar se klima institucionale brenda MBPZHR-së duket se është përkeqësuar.

Screenshot
Më alarmuese është struktura e vendimeve. Në vitin 2024, nga 15 ankesa, 12 janë aprovuar dhe 1 pjesërisht e aprovuar – që do të thotë se në 13 raste është konstatuar se pretendimet e zyrtarëve kanë pasur bazë. Edhe në vitin 2025, nga 14 ankesa, 11 janë aprovuar dhe 1 pjesërisht e aprovuar. Kjo nënkupton se në shumicën dërrmuese të rasteve, vendimet apo veprimet e administratës së ministrisë janë konsideruar të padrejta ose në kundërshtim me ligjin.
Një institucion ku mbi 80 për qind e ankesave rezultojnë të drejta për ankuesit nuk mund ta relativizojë gjendjen, përvec se shifra sugjerojnë probleme sistemike në menaxhimin e burimeve njerëzore, në procedurat disiplinore apo në vendimmarrjen administrative.
Shkelje të tilla, siç thonë burime të Periskopit, ka pafund mirëpo jo të gjithë zyrtarët e MBPZHR-së kanë bërë ankesa në KPMSHCK.
Venera Çerkini, tezake e presidentes Vjosa Osmani vetëm për dy vite, 23 herë shkeli procedurat ligjore në bazë të këtyre statistikave të KPMSHC-së. /Periskopi/



