Vetura godet këmbësorin në Gjilan
Policia e Kosovës është njoftuar për një aksident trafiku me lëndime, që ka ndodhur në qendër të qytetit të Gjilanit.
Nga hetimet e para mësohet se deri te aksidenti ka ardhur kur vozitësi shqiptar shtetas i Kosovës duke drejtuar veturën Mercedes me targa vendore, nga pakujdesia gjatë drejtimit të automjetit, besohet ta ketë humbur kontrollin, dhe godet një këmbësor rreth 50 vjeçar, shkruan rajonipress.
Personi i lënduar me urgjencë është bartur në qendrën rajonale emergjente këtu në Gjilan, derisa thuhet se është jashtë rrezikut për jetë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani ka thënë se Policia e Kosovës ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po merren me hetimin e rastit.



