Viktor Orban mbështetjen më të madhe e merrte nga diaspora, shpesh deri 93%

Viktor Orban mbështetjen më të madhe e merrte nga diaspora, shpesh deri 93%

Diaspora hungareze ishte një ndër shtyllat më të forta elektorale për ish-kryeministrin Viktor Orbán.

Vota e hungarezëve që jetojnë jashtë vendit të tyre, shpesh shkonte deri në një mbështetje dërrmuese, siç ishte ajo në zgjedhjet parlamentare të vitit 2022.

Edhe pse nuk dihet vota e saktë e diasporës në zgjedhjet e fundit, bazuar në mbështetjen nga zgjedhjet e kaluara për Orban, nuk pritet të ketë luhatur shumë për të kur bëhet fjalë për diasporën.

Kështu, p.sh. sipas të dhënave zyrtare, lista e përbashkët e Fidesz–KDNP në zgjedhjet e vitit 2022 kishte marrë 93.89% të votave nga diaspora, një rezultat që kishte tejkaluar rezultatin e tyre brenda territorit të Hungarisë, ku kishte siguruar rreth 52.45%.

Pra, rezultatet tregonin një diferencë të thellë mes votuesve brenda vendit dhe atyre jashtë.

Kështu, në Hungari asokohe Fidesz–KDNP e Orbanit kishte marrë 52.45%, ndërsa në diasporë 93.89%.

Edhe në Hungari, ky hendek mes votës së diasporës dhe banorëve rezident kishte nxitur debate mbi rolin dhe ndikimin e diasporës në politikën hungareze.

Opinonistë vendorë e lidhnin këtë mbështetje, pothuajse unanime, me disa faktorë kryesorë, si p.sh. politikat e shtetësisë, ku Qeveria e Orbánit kishte lehtësuar dhënien e shtetësisë për hungarezët etnikë jashtë kufijve, pastaj narrativa nacionaliste si dhe ekspozimi i kufizuar i diasporës ndaj politikave të brendshme, që nënkupton se diaspora ndikohet më shumë nga mesazhet simbolike sesa nga realiteti socio-ekonomik brenda Hungarisë.

Pakënaqësia e opozitës dhe kritikët e partisë së Orban argumentonin se vota e diasporës nuk reflekton realitetin e jetës në Hungari, shtrembëronte rezultatin final dhe u jep peshë disproporcionale votuesve që nuk jetojnë brenda vendit.

Ndërkohë, mbështetësit e Qeverisë Orban e konsideronin këtë si një legjitimitet të zgjeruar kombëtar. Ata këmbëngulnin se çdo hungarez, pavarësisht vendbanimit, ka të drejtë të ndikojë në fatin politik të vendit.

Në një Evropë ku roli i diasporave në politikë ka shënuar rritje, rasti i Hungarisë shihet si një nga shembujt më ekstremë të këtij fenomeni.

Shpërndaje në: