Vjedhja e votës brenda partive, Ymeri: Kjo s’bëhet pa pajtim të plotë, pa i mbyllur sytë për njëri-tjetrin
Opinionisti Visar Ymeri ka deklaruar se manipulimi ose keqorientimi i votës së qytetarëve është i pamundur pa pajtimin e të gjithë komisionerëve në një vendvotim të caktuar.
Sipas tij, nëse në një komunë apo qendër votimi ndodhin parregullsi zgjedhore, kjo nënkupton një dakordim të heshtur mes komisionerëve.
“Një hajni e tillë apo keqorientim i votës nuk mund të ndodhë pa dakordancë të plotë. Të gjithë duhet t’i mbyllin sytë për njëri-tjetrin”, tha Ymeri në emisionin “VV Show”.
Ai theksoi se praktika të tilla janë përmendur edhe në zgjedhjet e kaluara dhe se disa persona të përfshirë kanë pranuar se kanë qenë të zakonshme.
Duke iu referuar zgjedhjeve të vitit 2010, Ymeri rikujtoi të ashtuquajturën “hajni industriale”, duke sqaruar se manipulimi nuk ndodh mes partive, por brenda listave zgjedhore.
Ymeri përmendi edhe raportimet e komisionerëve evropianë, sipas të cilëve rreth 38 për qind e parregullsive të evidentuara asokohe ishin vjedhje të brendshme të votës, përqindje që ai e cilësoi shqetësuese.



