Vjen reagim nga kabineti i Osmanit për 24 hektarët: Publikut i servohen sllogane patriotike, realiteti doli nga goja e Rashiq

Vjen reagim nga kabineti i Osmanit për 24 hektarët: Publikut i servohen sllogane patriotike, realiteti doli nga goja e Rashiq

Meliza Haradinaj, këshilltare e Presidentes Vjosa Osmani, ka reaguar pasi ministri Nenad Rashiq tha se Kurti i kishte dhënë 24 hektarë Manastirit të Deçanit për shkak të tij.

Haradinaj tha se kjo çështje prek sovranitetin e Kosovës dhe nuk mund të trajtohet si favor personal mes kryeministrit dhe ministrave.

Ajo tha se Serbia në Kosovë synon modelin “Mount Athos”, si rast një territor me autonomi të veçantë brenda shtetit të Greqisë, ku një strukturë kishtare ushtron kompetenca të gjera vetëqeverisëse.

Postimi i plotë i Haradinajt:

E kam thënë gjithmonë: lejimi i kontrabandimit të çështjes së Kishës Ortodokse të Serbisë në dialog dhe në Marrëveshjen e Brukselit (pika 7) është ndër dështimet më të rrezikshme strategjike të kësaj qeverie ndaj Republikës së Kosovës.

Pika 7 – formalizimi i një statusi special për Kishën Ortodokse Serbe brenda Kosovës është projekt juridik e politik që rrezikon të krijojë privilegje të njëanshme për një institucion fetar, duke diskriminuar konfesionet tjera në Kosovë: Bashkësinë Islame dhe Kishën Katolike. Në plan afatgjatë, kjo mund të bëhet edhe më problematike se vetë Asociacioni monoetnik.

Në marrëveshjen e negociuar dhe pranuar nga Qeveria, referenca për “modele evropiane” nuk është as naive dhe as e paqartë. Serbia ka vite që synon modelin e Mount Athos – një territor me autonomi të veçantë brenda shtetit të Greqisë, ku një strukturë kishtare ushtron kompetenca të gjera vetëqeverisëse.

Dhe ndërkohë që publikut i servohen slogane patriotike çdo ditë, realiteti del nga goja e vetë ministrave serbë të Qeverisë. Deklarata e ministrit Nenad Rashiq për 24 hektarët e Manastirit të Deçanit është tronditëse: sipas tij, vendimi u bë “për hatër të tij”.

Pra, toka e Kosovës – një çështje që prek sovranitetin, precedentët juridikë dhe barazinë para ligjit – rezulton të trajtohet si favor personal mes kryeministrit dhe ministrave të tij.

Patriotizmi matet me akte e vendime që mbrojnë sovranitetin juridik të shtetit, e jo me sllogane e propaganda në rrjete sociale.

Dhe kur vendime për tokën e Kosovës arsyetohen publikisht si “për hatër të dikujt”, maska e pseudo-patriotizmit bie vetë.

Shpërndaje në: