Vjosa Osmani: Eliot Engel ishte zëri i Kosovës në Kongresin amerikan
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të ish-kongresistit amerikan Eliot Engel, duke e cilësuar atë si një mik të madh dhe të pazëvendësueshëm të Kosovës.
Në një postim në facebook, Osmani ka theksuar se Engel ishte shumë më tepër se një përkrahës politik, duke shtuar se ai e donte popullin e Kosovës me gjithë zemër dhe qëndroi pranë tij si në kohë sfidash, ashtu edhe në suksese.
“Një njeri i madh, një njeri i mirë, një mik i rrallë i Kosovës, na la sot! Kongresisti Eliot Engel ishte shumë më tepër se thjesht një kongresist përkrahës i Kosovës. Ai e donte popullin e Kosovës me gjithë zemër dhe ishte me ne në sfida e në suksese.
Kudo që udhëtoja në botë, takoja liderë që më thoshin: “Eliot Engel na ka telefonuar për të na kërkuar njohjen e Kosovës”, si dhe të tjerë që thonin: “E kam firmosur njohjen e Kosovës sepse ia premtova Eliot Engel-it.”Këdo që takoja në Kongres, thoshte: “Ju keni pasur një mik të madh këtu, që gjithmonë fliste për Kosovën.”
Ai nuk e ndali kurrë këtë ndihmë dhe këtë përkrahje, edhe kur gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua. Në fakt, ai ishte zëri ynë në Kongresin amerikan dhe përtej tij. Prandaj, kujtimi i tij do të jetë i përhershëm në zemrat e të gjithë qytetarëve të Kosovës! Faleminderit, Eliot Engel! Zoti e bekoftë shpirtin tënd të bardhë”, ka shkruar Osmani.



