Vokrri: Kosova u tregua serioze në Finlandë
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, është shprehur shumë i lumtur dhe i kënaqur me lojën e futbollistëve kosovarë, në ndeshjen e parë në kualifikimet për Kampionat Botëror kundër Finlandës.
Duke shprehur emocionet e tij pas lojës në emisionin Zona B në Klan Kosova, Vokrri tha se ekipi ishte shumë i bashkuar për një arsye dhe se djemtë ishin shumë seriozë.
“Ishte një ndeshje historike dhe emocionet i kanë kaluar kufijtë e një ndeshjeje normale. Djemtë e kanë qenë të jashtëzakonshëm dhe përkundër vështirësive duke pritur çdo ditë lajme nga UEFA. Ekipi u bashkua edhe më shumë dhe lojtarët që nga minuta e parë në fushë dhe deri në fishkëllimën e fundit kanë qenë serioz gjatë gjithë ndeshjes. Kanë vrapuar me kilometra të tëra. Bashkatdhetarët tanë që ishin në stadium, treguan një kulturë sportive që e pranuan edhe vetë finlandezët. Atë që e pamë në fushë ishte vepër e mrekullueshme e lojtarëve”, ka deklaruar Vokrri gjatë intervistës në Zonën B.



