Vota “Brexit” do të ketë ndikim edhe në sportin anglez
Ekspertët financiar shkruajnë se dalja nga BE mund të ndryshojë pamjen e Premier League, një nga kampionatet më të ndjekura në bote. Efekti i parë dhe i menjëhershëm i referendumit është zhvlerësimi i funte britanike.
Kjo do të thotë se klubet e premier ligës do ta kenë më të vështirë të blejnë lojtarë nga pjesa tjetër e Evropës, pasi çmimi për ta do të jetë më i lartë.
Nëse vlera e Pogbas është 120 milion euro, për shkak të zhvlerësimit të funte, anglezët do ta blejnë 40 milionë euro më shtrenjtë.
Efekti i dytë është direkt te lojtarët e Premier Ligës. Për momentin 65% e futbollistëve në këtë kampionat vijnë nga vendet jashtë Britanisë. Deri tani lojtarët me pasaportë evropianë luanin pa asnjë problem në Premier Ligë, por Brexit hap të tjera skenarë.
Rasti më i keq është që të gjithë lojtarët evropianë si Payet, De Gea, Fabregas, Martial, Nasri apo Mignolet të konsiderohen ekstra komunitarë dhe tani e tutje ata duhet të aplikojnë për leje pune.
Problemi tjetër është se tani e tutje në Premier Ligë nuk do të mund të shohim talente poshtë moshës 18 vjeç. Sipas rregullave të FIFA-s lojtarët e kësaj moshe nuk mund të transferohen apo të luajnë në kampionatet jashtë Bashkimit Evropian.
Brexit do të ndikojë shumë edhe në rugby dhe në kriket, pasi sipas një marrëveshjeje të vitit 2003, sportistë nga Afrika, Karaibe dhe ishujt e Paqësorit gëzonin të njëjtat të drejta si lojtarët e BE-së.



