Vrasja e gjyqtarit në Tiranë, KLGJ harton plan emergjent për sigurinë në gjykatat shqiptare
Pas vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, brenda sallës së gjyqit në Tiranë, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) në Shqipëri ka miratuar një plan emergjent masash për forcimin e sigurisë në të gjitha gjykatat e vendit.
Në mbledhjen e datës 10 tetor, KLGJ njoftoi se do të analizojë gjendjen aktuale të sigurisë në institucione, përfshirë infrastrukturën, pajisjet teknike dhe trajnimin e personelit.
Sipas njoftimit zyrtar, KLGJ ka kërkuar marrjen e informacionit të detajuar nga çdo gjykatë mbi masat ekzistuese të sigurisë, pajisjet si skanera, kamera, detektorë metalikë dhe funksionimin e tyre, për të standardizuar procedurat dhe për të trajnuar stafin në menaxhimin e situatave të rrezikut.
Pas analizës së të dhënave, KLGJ ka propozuar ngritjen e një grupi ndërinstitucional pune, me pjesëmarrje nga:
- Ministria e Drejtësisë,
- Ministria e Brendshme,
- Policia e Shtetit,
- Këshilli i Lartë i Prokurorisë,
- dhe institucione të tjera ligjzbatuese.
Qëllimi i këtij grupi do të jetë hartimi i protokolleve standarde të sigurisë për çdo gjykatë dhe përmirësimi i kuadrit ligjor sipas praktikave më të mira ndërkombëtare.
KLGJ gjithashtu ka vendosur të kërkojë ndihmë nga pushteti vendor për ndërtimin e tetë godinave të reja të gjykatave të shkallës së parë, si dhe për ngritjen e godinave të reja të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
Këshilli nxit gjykatat që të realizojnë projektet brenda afateve buxhetore dhe të kërkojnë kalimin në pronësi të KLGJ-së të ndërtesave ekzistuese, për të garantuar pavarësinë institucionale.
Në planin e masave përfshihet edhe bashkëpunimi me AKEP dhe AMA, për ndalimin e gjuhës së papërshtatshme ndaj gjyqtarëve në rrjetet sociale dhe media online.
Po ashtu, KLGJ ka propozuar që salla e amfiteatrit në godinën “Poli i Drejtësisë” të marrë emrin e gjyqtarit të ndjerë Astrit Kalaja, ndërsa është dërguar kërkesa për t’i dhënë atij titullin “Dëshmor i Atdheut”.
Në përmbyllje, Këshilli thekson se mbetet i përkushtuar për garantimin e një sistemi drejtësie të sigurt, të pavarur dhe funksional, në shërbim të qytetarëve dhe shtetit të së drejtës.



