Vrasja e Martin Canit, gjykata shpall vendimin më 9 dhjetor
Mbrojtja e 14-vjeçarit Mario Përlleshaj, në gjykim për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij, Martin Cani, me thikë më 18 nëntor 2024, kërkoi këtë të enjte në gjykatë rikualifikim të akuzës.
Avokatët i thanë treshes së gjyqtarëve se ngjarja ka ndodhur për shkak të një tronditjeje dhe kërkuan që, nga vrasja në rrethana cilësuese, të gjykohet për vrasje në kushte të tronditjes së fortë psikologjike.
Por përballë këtij pretendimi të mbrojtjes qëndron kërkesa e Prokurorisë së Tiranës, e cila disa ditë më parë i kërkoi gjykatës të shpallë fajtor dhe të dënojë me 25 vite burg 14-vjeçarin për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personash.
Në masën e dënimit, gjykata duhet të ketë parasysh aplikimin e nenit 97 të Kodit Penal për të mitur. Ky nen parashikon se dënimi për një të mitur nuk mund të jetë më shumë se gjysma e dënimit që parashikohet për veprën penale të kryer, por jo më shumë se 12 vjet.
Vendimi pritet të shpallet më 9 dhjetor.



