Vuçiq zbut fjalët, thotë se Serbia “është shumë e vogël për të kërcënuar Turqinë”
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se vendi i tij është “shumë i vogël për të kërcënuar Turqinë” pas deklaratave të tij mbi dërgesën e dronëve të Turqisë në Kosovë, duke e përshkruar atë si fuqinë e dytë më të madhe ushtarake të NATO-s.
Duke folur në një konferencë për shtyp, Vuçiq foli për dërgesën e fundit të dronëve kamikaze Skydagger nga Turqia në Kosovë dhe komentoi mbi gjendjen e marrëdhënieve dypalëshe midis Beogradit dhe Ankarasë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Ndërsa duke iu përgjigjur akuzave të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani se ai kishte kërcënuar Turqinë, Vuçiq përsëriti se Serbia është “shumë e vogël për të kërcënuar” një komb që ai e përshkroi si “një fuqi të madhe”, duke pretenduar se komentet e tij ishin keqkuptuar.
Kujtojmë se një ditë më parë, presidenti serb kishte pasur “fjalë më të ashpra në drejtim të Turqisë”, pas lajmit mbi dërgesën e dronëve të Turqisë në Kosovë./Periskopi/



