VV e AAK festojnë bashkë në Junik, shihet edhe Ramush Haradinaj
Opozita ka arritur të marrë drejtimin e Kuvendit Komunal të Junikut, pas një bashkëpunimi mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, përmes një reagimi publik, theksoi se pavarësisht zhvillimeve politike, institucioni komunal do të respektojë procesin demokratik dhe i uroi Leonard Llollunit zgjedhjen në këtë pozitë, duke shprehur gatishmëri për bashkëpunim institucional në interes të qytetarëve të Junikut.
“Propozimi nga AAK u mbështet menjëherë nga kryetari i Qendrës së VV-së në Junik, z. Jetmir Tofaj, pa asnjë konsultim paraprak me strukturat apo me elektoratin që ai pretendon se përfaqëson. Një veprim i tillë, i papërgjegjshëm dhe politikisht i pajustifikueshëm, e shndërron z. Tofaj në mbështetës të drejtpërdrejtë të agjendës së AAK-së në Junik, duke devijuar hapur nga vullneti dhe besimi i votuesve të tij.”, ka shkruar mes tjerash Shehu.
Statusi plotë i Shehut:
Të dashur junikas,
Sot është mbajtur mbledhja e Kuvendit Komunal të Junikut, ku pikë e rendit të ditës ishte zgjedhja e Kryesuesit të Kuvendit Komunal.
Grupi i asambleistëve të LDK-së ka propozuar për këtë pozitë z. Shpejtim Gacaferi, ndërsa grupi i asambleistëve të AAK-së ka propozuar për këtë pozitë z. Leonard Llolluni.
Propozimi nga AAK u mbështet menjëherë nga kryetari i Qendrës së VV-së në Junik, z. Jetmir Tofaj, pa asnjë konsultim paraprak me strukturat apo me elektoratin që ai pretendon se përfaqëson. Një veprim i tillë, i papërgjegjshëm dhe politikisht i pajustifikueshëm, e shndërron z. Tofaj në mbështetës të drejtpërdrejtë të agjendës së AAK-së në Junik, duke devijuar hapur nga vullneti dhe besimi i votuesve të tij.
Si rezultat, z. Shpejtim Gacaferi morri 7 vota ndërsa me ndihmën e 2 nga 3 votat e grupit të VV, z. Leonard Llolluni morri 8 vota dhe u zgjodh Kryesues i Kuvendit Komunal të Junikut.
Duke respektuar institucionin dhe procesin demokratik, shfrytëzojmë rastin ta urojmë z. Leonard Llolluni për zgjedhjen e tij si Kryesues i Kuvendit Komunal dhe shprehim gatishmërinë tonë për bashkëpunim institucional, gjithmonë në funksion të interesit publik dhe të mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Junikut, pa dallim.
R.Sh



