Ylli i “Home Alone” dhe “Schitt’s Creek”, Catherine O’Hara vdes në moshën 71-vjeçare
Aktorja Catherine O’Hara, ,interpretimi unik komedik i së cilës ndihmoi në ngritjen e filmave dhe serialeve si “Beetlejuice”, “Home Alone” dhe “Schitt’s Creek” në statusin e klasikëve kult, ka ndërruar jetë. Ajo ishte 71 vjeç.
Në një deklaratë nga CAA, agjencia që përfaqësonte O’Hara-n, thuhet se aktorja vdiq të premten “në shtëpinë e saj në Los Anxhelos, pas një sëmundjeje të shkurtër”, raporton .
O’Hara e nisi karrierën e saj në Second City në Kanadanë e saj të lindjes, përpara se t’i drejtohej filmit, ku i dha jetë dy prej nënave më të paharrueshme të kinemasë.
Në “Beetlejuice” të vitit 1988, ajo luajti Delia Deetz, një nënë djallëzore që nuk e fshihte dashurinë e saj për “Prince Valium” dhe e ktheu lip-sync-un në një formë arti. Ajo e ripërsëriti këtë rol në “Beetlejuice Beetlejuice” të vitit 2024.
Në “Home Alone” të vitit 1990, O’Hara e ktheu një fjali të vetme filmi (“KEVIN!”) në histori të kulturës pop. Si një nënë e stresuar e pesë fëmijëve, që la njërin prej tyre (Macaulay Culkin) në shtëpi gjatë udhëtimit familjar për pushime në Francë, O’Hara solli zemër dhe humor në filmin tashmë klasik të Krishtlindjeve. Një vazhdim u publikua në vitin 1992.
Vetëm dy vite më parë, O’Hara mori pjesë në ceremoninë e Walk of Fame, ndërsa djali i saj në ekran, Culkin, mori yllin e tij.
“Faleminderit që më përfshive mua, mamanë tënde të rreme që të la vetëm në shtëpi jo një, por dy herë, për të ndarë këtë rast të lumtur,” i tha O’Hara. “Jam shumë krenare për ty.”
Të premten, Culkin i bëri homazh O’Hara-s në rrjetet sociale, duke iu drejtuar asaj si “mama”. “Mendova se kishim kohë,” shkroi ai. “Doja më shumë. Doja të ulesha në një karrige pranë teje. Të dëgjoja, por kisha edhe aq shumë për të thënë. Të dua.”
Pas suksesit të “Home Alone”, ajo nisi bashkëpunimin me regjisorin Christopher Guest, duke luajtur në shumë prej mockumentary-ve të tij ikonike, përfshirë “Waiting for Guffman” (1996) dhe “Best in Show” (2000).
“Jam i shkatërruar,” tha Guest për CNN në një deklaratë. “Kemi humbur një nga gjigantët komikë të epokës sonë.”
Në këta filma, O’Hara punoi shpesh përkrah Eugene Levy-t, duke u bërë një dyshe karakteristike që më pas bashkëluajti në serialin e vlerësuar “Schitt’s Creek”. Si aktorja e rafinuar por e humbur Moira Rose, batutat e O’Hara-s u bënë material i artë për meme dhe i sollën asaj vlerësime kritike.
O’Hara fitoi një çmim Emmy në vitin 2020, gjatë një ceremonie në kohën e Covid-it, ku yjet festonin me maska dhe të shpërndarë nëpër botë, me pamjet e kapura nga 130 kamera.
Në fjalimin e saj, O’Hara falënderoi krijuesit Eugene dhe Dan Levy për “mundësinë që më dhatë të luaj një grua të një moshe të caktuar, moshës sime, që mund të jetë plotësisht vetvetja e saj qesharake”.
O’Hara fitoi gjithashtu një Golden Globe për interpretimin e saj në serial në vitin 2021.
“Moira është shumë më interesante se unë,” i tha ajo New York Times-it. “Dhe gjëja argëtuese te ajo ishte se ishte aktore, kështu që herë pas here mund të interpretoja ose të bëja një theks. Pasi e ke pasur këtë në jetën tënde, është shumë e vështirë të heqësh dorë.”
Së fundmi, O’Hara luajti një drejtuese të rënë në “The Studio”, rol për të cilin u nominua për një Golden Globe dhe një Emmy. Ajo gjithashtu u shfaq në një rol të rëndësishëm në sezonin e dytë të “The Last of Us” të HBO Max, për të cilin u nominua po ashtu për një Emmy.
Ylli Pedro Pascal e quajti O’Hara-n një “gjeni” në një homazh të postuar në Instagram.
“Ka më pak dritë në botën time; kjo botë me fat që të pati ty, do të të mbajë gjithmonë,” shkroi ai.
O’Hara lë pas bashkëshortin e saj Bo Welch dhe djemtë Matthew dhe Luke.
Sipas agjencisë së saj, familja do të mbajë një ceremoni private përkujtimore.



