Zbardhen bisedat e biznesmenit me të atin: Ba, më ka kap policia
Avokatët e Orest SOtës i cili u kap me 863 mijë euro në makinë dhe dy patentat e Tahirit ngulin këmbë se paratë ishin të destinuara për të blerë hekur në kompaninë “Kurum”.
Fatmir Braka dhe Julian Mërtiri kanë paraqitur si prova në seancën për masën e sigurisë biseda mes Lefter Sotës dhe Ashmet Kurum, pronarit të kompanisë, si edhe biseda mes Lefter Sotës dhe Orest Sotës për dërgesën e parave dhe bisedat që disponohen edhe nga Prokuroria mes të arrestuarit dhe shoferit të tij, ku jep shpjegimet për mënyrën se si janë ndodhur në mjetin e tij patentat e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, shkruan Panorama.
BISEDAT
-31.10.2017. Lefter Sota takohet me drejtorin e “Kurum”, Korai Zejtinoglu, në Tiranë, i cili ka qenë i shoqëruar nga pronari i firmës “KURUM”, i quajtur Ashmet (Hasmet Kurum), zotërues i 100% të aksioneve të shoqërisë “Kurum International” sh.a.
Me ta, shtetasi Lefter Sota ka biseduar në lidhje me porosi, marrëveshje të ndryshme për pune dhe u ka kërkuar konkretisht atyre lidhjen e një kontrate radhe për një sasi hekuri prej 4.000 tonësh.
Pasi kanë biseduar në lidhje me parapagimet e shumës, Lefteri u ka kërkuar atyre një lehtësi për mënyrën e pagesës, që t’i linin rreth një muaj kohë vonesë. Korai nuk pranoi dhe tha:
“Ne kemi vendosur rregull dhe nuk e ndryshojmë këtë rregull, pasi nuk japim më mall pa lekë. Ne pranojmë vetëm garanci bankare”. Lefter Sota u është lutur atyre që të pranonin një sasi parash kesh nga fondet e tij personale. Në fillim ata nuk kanë pranuar, por pastaj kanë rënë dakord, se nëse do të operonin në këtë mënyrë, këto fonde nuk do të futeshin në llogari të firmës së tyre, por do të ruheshin në ambientet e tyre.
-01.11.2017. Lefter Sota komunikon me të birin dhe i kërkon atij që të dërgojë paratë te “Kurum”, përderisa ai do të shkonte në Vlorë atë ditë dhe kishte rrugën për në Elbasan. Leferi i sqaron Orestit se paratë do t’ia dorëzonte Jusuf Kurum, administratorit të firmës “Kurum”.
Nëpërmjet programit Whatsapp, midis Lefter Sotës dhe personit nën hetim, OrestSota, është zhvilluar ky komunikim:
Lefter Sota (ora 10:02): Po vjen?
Orest Sota (ora 10:40): Po. Ku je ti, në zyrë?
Lefter Sota (ora 10:40): Po.
Lefter Sota (ora 14:32): 06*******1 jusuf. Shko në metalurgji.(I dërgon numrin e Jusuf Kurum që do të priste paratë).
Orest Sota (ora 14:32): Ok.
Lefter Sota (ora 16:48): Ba …
Orest Sota (ora 17:04): Më ka kap policia. /albeu.com/



